Shteti kërkon specialistë IT, por nuk i gjen dot: Ekspertët zgjedhin pagat dhe punën fleksibël me kompanitë e huaja

Administrata publike po përballet me një problem gjithnjë e më të dukshëm: kërkon specialistë të teknologjisë, por vendet e punës mbeten bosh. Dhjetëra pozicione për ekspertë IT vijojnë të jenë vakante në institucione të ndryshme, nga Kryeministria te ministritë, ndërsa disa prej njoftimeve përsëriten, përfshirë edhe vende pune në fushën e inteligjencës artificiale.
Por pse specialistët e teknologjisë nuk po zgjedhin shtetin?
Tregu ka ndryshuar. Një profesionist IT në Tiranë nuk duhet më të zgjedhë vetëm mes administratës dhe një kompanie private shqiptare. Ai mund të jetojë në Shqipëri dhe të punojë për një kompani në Amerikë, Azi apo Europë, me paga më konkurruese dhe kushte më fleksibël.
Eksperti i IT-së, Kushtrim Shala, thotë se profesionistët e kualifikuar sot mund të kenë disa oferta njëkohësisht.
“Sot një i ri i certifikuar ka 3-4 oferta në tavolinë. Ka dy-tre kontrata dhe siguron të ardhura duke punuar hibrid.”
Pikërisht këtu administrata e ka të vështirë të konkurrojë. Përballë institucioneve shtetërore nuk janë më vetëm kompanitë private në Shqipëri, por një treg ndërkombëtar që kërkon specialistë dhe u mundëson atyre të punojnë nga Tirana për kompani mijëra kilometra larg.
“Specialistët nga Tirana janë të punësuar nga kompani në Amerikë, Azi apo Europë. Është konkurrenca ndërkombëtare. Pasi Shqipëria është ende krah pune më i lirë. Dhe patjetër që administrata do të ketë vështirësi, pasi nuk ka këtë fleksibilitet.”
As rritja e pagave në sektorin publik duket se nuk e zgjidh e vetme problemin. Për specialistët e teknologjisë, sipas Shalës, nuk ka rëndësi vetëm shifra që marrin në fund të muajit. Mundësitë për zhvillim profesional, trajnimet, konferencat ndërkombëtare dhe fleksibiliteti në punë janë pjesë e asaj që i bën ofertat e kompanive të tjera më tërheqëse.
“Paga nuk është elementi i vetëm, por ka të bëjë me paketën e motivimit. Trajnimi i vazhdueshëm, pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare.”
Në një kohë kur shteti kërkon gjithnjë e më shumë ekspertizë në teknologji dhe inteligjencë artificiale, sfida nuk është më thjesht hapja e vendeve të punës. Administrata duhet të gjejë mënyrën për të konkurruar për specialistët në një treg ku një ekspert shqiptar mund të punojë nga Tirana për pothuajse çdo vend të botës.
Sipas Shalës, krahas krijimit të mundësive për talentet e reja në tregun digjital, institucionet duhet të investojnë edhe te profesionistët që kanë aktualisht, duke u krijuar mundësi reale për trajnim, zhvillim dhe avancim profesional.