Skip to content
Kryesore

Shqipëria feston sot 16-vjetorin e anëtarësimit në NATO

· 2 min lexim

Më 1 prill 2025, Shqipëria shënon 16-vjetorin e anëtarësimit të saj në NATO, një arritje historike dhe një nga objektivat kryesorë të politikës së jashtme të vendit.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u konkretizua më 1 prill 2009, duke kulmuar me pjesëmarrjen si anëtare e plotë në Samitin e Aleancës në Strasbourg/Kehl më 4 prill të po atij viti.

Tre ditë më vonë, më 7 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë, si shtetet më të reja anëtare të Aleancës.

Rruga e gjatë e Shqipërisë drejt NATO-s

Gjatë periudhës komuniste, Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, aleancës ushtarake të vendeve komuniste, nga viti 1955 deri në daljen e saj në vitin 1968.

Me ndryshimet politike të vitit 1991, vendi përcaktoi një orientim të qartë euro-atlantik, duke nisur përpjekjet për integrim në organizata ndërkombëtare.

Procesi i anëtarësimit në NATO nisi në vitin 1992, kur Shqipëria iu bashkua Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Gjatë viteve që pasuan, autoritetet shqiptare u angazhuan në reforma dhe nisma për të përshpejtuar anëtarësimin.

Një nga momentet kyçe ishte maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan me SHBA-në “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, një iniciativë që u konsiderua si hap vendimtar për anëtarësimin në NATO.

Kulmi i këtij procesi erdhi më 2 prill 2008, kur Shqipëria mori ftesën zyrtare për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit.

Pas negociatave dhe nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit në Bruksel më 9 korrik 2008, vendet anëtare nisën procesin e ratifikimit.

Me përfundimin e tij dhe depozitimin e dokumenteve zyrtare në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e NATO-s më 1 prill 2009.

Roli i Shqipërisë në NATO

Që nga anëtarësimi, Shqipëria ka qenë një partner aktiv në Aleancë, duke marrë pjesë në misione ndërkombëtare dhe duke kontribuar në sigurinë rajonale e globale.

Integrimi në NATO jo vetëm që forcoi mbrojtjen kombëtare, por gjithashtu ndikoi në rritjen e prestigjit ndërkombëtar të vendit dhe në forcimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

16 vite pas këtij suksesi, Shqipëria vijon të jetë e angazhuar në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s, duke konfirmuar rolin e saj si një faktor stabiliteti në rajon.