Skip to content
Kryesore

Shpërthen skafi në Porto Palermo/ 4 persona digjen nga benzina, raportohen djegie në mbi 50% të trupit

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në Porto Palermo të Vlorës, ku katër persona kanë mbetur të lënduar pas shpërthimit të motorit të një skafi. Sipas raportimeve të para, të lënduarit kanë pësuar djegie të rënda, në mbi 50% të trupit.

Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja për ngjarjen, duke bërë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë riparimit të motorit të skafit.

Të lënduarit janë identifikuar si shtetasit Xh. I., 40 vjeç, A. O., 38 vjeç, M. M., 25 vjeç dhe A. D., 18 vjeç. Sipas Policisë, të katërt kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e kontaktit me lëndën djegëse, benzinë.

Nga të dhënat e raportuara menjëherë pas ngjarjes, personat e përfshirë janë përpjekur të hidhen në det për t’u shpëtuar flakëve, por zjarri është përhapur me shpejtësi.

Pas ngjarjes, të lënduarit janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore Himarë. Disa prej tyre janë transportuar më pas në Spitalin Rajonal Vlorë për trajtim të mëtejshëm.

Policia nuk ka dhënë deri tani detaje të tjera mbi gjendjen aktuale shëndetësore të katër të lënduarve. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të shpërthimit.