Shkrirja e Bashkisë Klos, kryebashkiakja socialiste: Nëse qytetarët kundërshtojnë bashkimin me Matin, do të jem në krahun e tyre

Këshilli Bashkiak i Klosit është mbledhur për të diskutuar projektin e propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Në mbledhje mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e zgjedhur nga radhët e PS-së, e cila deklaroi se përpara se të merret çdo vendim do të zhvillohen dëgjesa publike në të gjitha fshatrat e bashkisë, për të dëgjuar qëndrimin e banorëve.
Kola theksoi se qëndrimi i saj do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Klosit, duke theksuar se nuk do të mbështesë asnjë vendim që bie ndesh me mendimin e tyre.
“Unë dua t’ju bëj me dije si e zgjedhur nga qytetarët e mi, që karrigia e kryetarit të bashkisë nuk është e instaluar për një person dhe për interesa personale të një individi. Kryetari i bashkisë është shërbëtor i komunitetit që e ka besuar dhe votuar. Karrigia e bashkisë është e qytetarëve, ashtu si edhe institucioni i bashkisë jep shërbime për të gjithë qytetarët pa dallime. Unë si e zgjedhur do jem me mendimin e qytetarëve. Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, unë do jem kundër”, u shpreh kryebashkiakja.