Skip to content
Të Gjitha

Shkelën rregullat e Schengenit, riatdhesohen 100 shqiptarë

· 2 min lexim

Ditën e sotme kanë mbërritur në Rinas 100 shtetas shqiptarë nga Franca, Belgjika dhe Gjermania.

Sipas policisë, këta persona kanë shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Schengen.

Operacioni i riatdhesimit, u krye në bashkëpunim me Frontex.

Nga 100 shtetas në total, 43 u kthyen nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 52 nga Gjermania.

Policia bën apel për të gjithë shqiptarët që të mos bien pre e mashtruesve, pasi shanset për të përfituar azil janë zero.

Njoftimi i policisë

Rinas – Riatdhesohen 100 shtetas shqiptarë nga Franca, Belgjika e Gjermania

Në vijim të organizimit të operacioneve të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë në situatë të parregullt qëndrimi në territorin francez, belg e gjerman, si edhe për persona apo familje, të cilëve u është refuzuar azili, u zhvillua një operacion riatdhesimi, në bashkëpunim me Frontex-in.

Gjatë këtij operacioni u riatdhesuan 100 shtetas shqiptarë, nga të cilët 43 nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 52 nga Gjermania.

Këta janë individë, të cilët kanë vendim për dalje nga territori francez, belg e gjerman, për shkelje të rregullave të lëvizjes në zonën Schengen.

Policia e Shtetit edhe njëherë apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe mos të bëjnë përpjekje apo shpenzime duke rënë pre e mashtrimeve për të përfituar azil, pasi shanset për azil janë zero.