Gjykata e Krujës ka dhënë masën ndaj pesë personave të arrestuar në lidhje me abuzimin dhe drogimin e një vajze 17-vjeçare në këtë zonë.
Gjykata ka vendosur masën “burg pa afat” për Edison Cacën (Çangu), Fatjon Lekën dhe Arbis Shimën. Sakaq gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie”, për Leonard Stafën dhe “detyrim paraqitje” për një tjetër person.
Kujtojmë se dy ditë më parë u finalizua operacioni “Nikla” dhe ku u vunë në pranga katër persona, E. C. (Ç)., 28 vjeç; F. L., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në Itali; L. S., 17 vjeç dhe A. Sh., 26 vjeç, të gjithë banues në Krujë. Ndërsa në kërkim janë shpallur; A. B., 23 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe A. M., 17 vjeç, të dy banues në Krujë.
Personat në fjalë kanë droguar dhe abuzuar seksualisht një 17-vjeçare nga Kruja dhe jo vetëm kaq. Banesa e adoleshentes u bë shënjestër e një sulmi me tritol mesnatën e kaluar. Lënda plasëse u pikas nga e ëma e 17-vjeçares dhe nuk shpërtheu, ndërkohë që autori, 23 vjeç, me inicialet A.B., banues në Krujë, është shpallur në kërkim.
E mitura ka rrëfyer detaje nga ngjarja, duke treguar se në moshën 16-vjeçare në festën e ditëlindjes së saj, i kanë dhënë të konsumojë kokainë dhe se e kanë shfrytëzuar si prostitutë për tetë muaj. 17-vjeçarja shprehet se djemtë që ajo denoncoi kanë tentuar ta trafikojnë edhe në Greqi dhe ekërcënon që nëse i denonconte, do i trafikonin motrat.
Së fundmi, Ameld Merlika, personi që hodhi tritolin në banesën e 17-vjeçares është vënë në pranga. Mësohet se Merlika, është vetëdorëzuar në komisariatin e Policisë së Sarandës, dy ditës pasi u shpall në kërkim. Ai akuzohet të jetë pikërisht personi, që ka hedhur sasinë e lëndës plasëse në banesën e adoleshentes në Krujë, tritol i cili fatmirësisht nuk plasi, ndërsa aktualisht kërkohet vetëm një person, i identifikuar si Alket Brata.