Skip to content
Kryesore

Shehaj akuza Ballës: I dhatë leje për kulla në Tiranë biznesmenit që financoi PS-në në diasporë. Je bërë i pasur pa punuar një ditë

· 2 min lexim

Akuza të forta për pasuri të fshehura, financime politike dhe leje ndërtimi për kulla në Tiranë kanë përplasur në Kuvend kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Shehaj akuzoi Ballën se është pasuruar pa punuar, ndërsa pretendoi se biznesmeni Ylli Ujkaj ka përfituar leje për ndërtimin e kullave në kryeqytet, pasi ka financuar Partinë Socialiste në diasporë.

Kreu i Partisë Mundësia ngriti gjithashtu pretendimin se Balla zotëron një apartament prej 500 metrash katrorë në një kullë në Tiranë, duke e akuzuar se po përpiqet t’i mbyllë gojën përmes padive.

“Flet Taulanti për pasuritë e mia. Si ia bën atje te kulla e madhe? Ti, Taulant, kur del te kulla, ku ke apartamentin tënd 500 metra katrorë, sheh Tiranën dhe të duket vetja mbret. Me punë bëhet pasuria dhe jo me vjedhje. Kompanitë e mia kanë fitim 200 mln euro në vit, Taulant. Ti s’ke punuar një ditë në jetë, i ke pasuritë e fshehura”, u shpreh ai.

Shehaj vijoi me akuza konkrete ndaj Ballës lidhur me financimin e aktiviteteve të Partisë Socialiste në Europë.

“Ky zotëria Ylli Ujkaj që ka dalë në foto me kryeministrin ka paguar turin e Ballës nëpër Europë. Ky të ka financuar. Pasi dha para për PS-në në diasporë, i keni dhënë leje për kulla. Duan të më mbyllin gojën me hajdutët e tyre, por nuk ma mbyllni dot gojën. Ti një padi, Taulant, unë dy”, deklaroi Shehaj.

Nga ana tjetër, Taulant Balla hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se gjatë karrierës së tij politike ka depozituar 173 kallëzime me emrin e tij.

“Paditë unë i bëj me emrin tim. Sali Berishën unë e kam kallëzuar me emrin tim. 173 kallëzime kam bërë në gjithë këto vite në politikë, jo me emra falsë. Nuk kam frikë unë, o Agron, këtë gjë ta dish”, tha Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së mohoi gjithashtu pretendimin se zotëron një apartament prej 500 metrash katrorë në një kullë në Tiranë, duke deklaruar se do të largohej nga detyra nëse akuza do të rezultonte e vërtetë.