Për të mbuluar nevojat emergjente të pandemisë së COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka kryer 15 tenderë deri më tani, por nga të gjithë këta vetëm një është publik. Ai për blerjen e tamponëve nazofaringiale për ISHP-ën, fondi i së cilit ka qenë rreth 320 milionë lekë të reja. Megjithatë edhe për ketë tender nuk dihet numri i saktë i tamponëve të blerë.
Ndërkohë për 14 tenderët e tjerë, që janë, ai për blerjen e materialeve mjekësore për parandalimin e COVID-19, blerja e materialeve për mbrojtjen personale, blerja e kiteve për laboratorin mikrobiologjik në QSUT, trajtimi dhe asgjësimi i mbetjeve që dalin nga shërbimet ku marrin trajtim pacientët me COVID-19, ai për furnizimin me respiratorë për të rritur dhe për moshë pediatrike, furnizimin me produkte letre një-përdorimëshe dhe letër higjienike për të infektuarit dhe personelin mjekësor, blerja e kiteve për laboratorin mikrobiologjik për diagnozën serologjike dhe disa të tjerë nuk dihet sesa është shuma e shpenzuar si dhe asnjë e dhënë tjetër rreth tyre.
E pyetur për këto tenderë, ministrja Manastirliu në emisionin Ilva Now, tha se qeveria nuk ka kryer asnjë tender sekret.
“Nuk ka asnjë kontratë dhe nuk ka pasur asnjë kontratë sekrete. Çdo kontratë është bazuar mbi ligjet në fuqi dhe aktet e tjera nënligjore,” deklaroi Manastirliu më herët.
Megjithatë këto tendera dhe vlera e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe median, dhe as nuk është shfaqur as në faqen e agjencisë së prokurimeve publike./Euronews