“Sa herë Basha ka vështirësi shkon në krahët e Edi Ramës”, Hajdari: Bëhen pazare në kurriz të qytetarëve
Rudina Hajdari është shprehur pas mbledhjes së Këshillit Politik se pazare po bëhen në kurriz të qytetarëve dhe të Reformës Zgjedhore.
Ajo theksoi se vendi ka nevojë për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe jo për ndryshime sipërfaqësore në interes të partive politike.
“Duhet t’iu japim shqiptarëve ndryshim të sistemit, ose t’i bëjmë të zgjedhin me referendum, nëse e duan ndryshimin e sistemit.
Propozuam një ligj për referendumin, pasi nëse do ta kishim këtë Teatri Kombëtar nuk do të ishte shembur sot.
I bëj thirrje Lulzim Bashës të mbështesë propozimin e opozitës parlamentare dhe të mos bëjë më marrëveshje me Edi Ramën, sepse sa herë gjendet ngushtë, ai shkon në krahët e Edi Ramës”, u shpreh Hajdari.
Hajdari po ashtu, kundërshtoi dakordësinë shumicë-opozitë për zvogëlimin e periudhës zgjedhore mes datave 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor, pasi me këtë i hiqet e drejta e votës emigrantëve, të cilët vijnë zakonisht në muajin qershor.
Ajo akuzoi PS-PD-LSI se do të marrin më shumë para nga buxheti i shtetit, me ndryshimet për financimin e partive:
“Kanë rënë dakord PS-PD, që financimi të dyfishohet.
Këto lekë vijnë nga taksapaguesit shqiptar dhe minimumi është të japin një shpjegim pse duan dyfishim të kësaj shume”, shtoi më tej Rudina Hajdari.