Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari është e bindur se, “votimi sot në Kuvend për listat e hapura në procesin zgjedhor, është një ndryshim historik”.
“Ka patur shumë prej jush që ishit skeptik, disa sepse nuk e kuptonin rëndësinë e listave të hapura ndaj qytetarëve shqiptarë. Por sot po votojmë një ndryshim historik për vendin tonë, pikërisht hapjen e listave. Jam krenare për këtë kauzë, sepse nga një çështje periferike, për të cilën shqiptarët nuk ishin shumë të interesuar dhe të informuar për këtë çështje, së bashku me kolegët tanë dhe me një pjesë të shëndoshë të shoqërisë civile arritëm ta kthenim në një nga çështjet më të mbështetura nga publiku i gjerë që tashmë është një çështje që mbështetet pa rezerva nga e gjithë klasa politike. Këtë fitore ia dedikoj qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Hajdari.
Hajdari ka kritikuar klasën akutale politike për varfërimin e Shqipërisë.
“Sigurisht pa mbështetjen e qytetarëve ky votim do të ishte i pamundur. Ia dedikoj asaj shumicë që kanë qenë kundër kësaj klase politike për 30 vite, mënyrës sesi ata e kanë qeverisur këtë vend. I kanë imponuar dy apo tre veta, kryetarë të partive axhendën e tyre personale dhe ky vend ka arritur të bëhet akoma më i varfër dhe i korruptuar pikërisht prej axhendës së tyre”, deklaroi Hajdari.
Hajdari tha se “mesazhi im sot është për qytetarët. Me këtë fitore që po korrim sot, për hapjen e listave ne e kemi në dorë të administrojmë për ata deputetë që do të zgjedhim nesër”.