Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka komentuar vendimin e presidentit Ilir Meta për të dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm dhe emërimin në vend të tij të kryeministrit Edi Rama.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, ai tha se emërimet dhe shkarkimet, që nga presidenti, kryeministri deri tek ministrat, bëhen nga parlamenti.
“Neni 1 i Kushtetutës në paragrafin e tij hapet me fjalinë Shqipëria është Republikë Parlamentare do të thotë nga presidenti, kryeministri dhe institucionet emërohen e shkarkohen nga parlamenti. Shumë kush e ka trajtuar ka të drejtë presidenti ska të drejtë, nuk merrem me këto, merrem me Kushtetutën. Neni 93 thotë presidenti nxjerr dekrete. Edhe kur jep apo nuk e jep pëlqimin duhet të nxjerrë dekret, se është kopetencë e kuvendi të shprehet. Kryeministri bën propozimin presidenti jep pëlqimin, parlamenti nxjerr vendimin. T’i lemë këto, le të presim ditën e orën që Gjykata Kushtetuese të ngrihet dhe lidhur me ketë interpretim të shprehet ajo dhe të heshtin të gjithë,”- tha Ruçi.
Gjithashtu Ruçi deklaroi se nuk ishte bërë asnjëherë pishman për votën dhe qëndrimin e tij sa i takon zgjedhjes së Ilir Metës në krye të Presidencës.
Ai tha se nuk pret që Meta t’u përgjigjet orekseve të partive politike, por që të bëjë detyrën sipas Kushtetutës.
“Lidhur me deklaratën time për raundin e katër, s’jam bërë pishman. Ka qenë një deklaratë, e cila përfaqësonte jo vetëm mendimin tim. Por edhe nëse e përfaqësonte mendimin tim si kryetar të grupit, e them edhe sot se nuk kishte luksin Shqipëria që të kalonte nga zgjedhjet në zgjedhje në atë kohë që e bëra. Ka qenë deklaratë që Kuvendi e mbështeti dhe e kurorëzoi me zgjedhjen e presidentit. S’jam pishman për votën që jap dhe qëndrimet që mbaj. S’kam pritur që presidenti i Republikës Meta, të operoj gjatë detyrës së tij sipas orekseve politike partiake dhe elektorale të asnjë pale. Kam pritur dhe pres që zoti Meta të zbatojë Kushtetutën,”-tha Ruçi.