Skip to content
Të Gjitha

Rinis dialogu Kosovë-Serbi, Hoti dhe Vuçiç do të takohen më 12 korrik në Bruksel

· 2 min lexim

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të fillojë më 12 korrik me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në raundin e ri të bisedimeve për dialogun më 12 korrik 2020, në Bruksel.

Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Por ende nuk është bërë me dije se se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.

“Mund të konfirmoj se më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të vijnë në Bruksel për dialog. Mikpritës i këtij samiti do të jetë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në prani të të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, tha ai.

Postimi Zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano ne Twitter.

Bëhet me dije se presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të mbajnë një samit të premten, më 10 korrik, me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Ky samit do të zhvillohet me një video-lidhje dhe ka për qëllim uljen e tensiove midis Kosovës dhe Serbisë

Kujtojmë se takimi i 27 qershorit në Uashington u anulua më 24 qershor, pasi Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.  Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut. I dërguari i Trump në Kosovë për dialogun me Serbinë, Richard Grenell  është emëruar në këtë post nga Shtëpia e Bardhë që prej 4 tetorit të 2019.