Dy vjet pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit, rindërtimi në zonat e prekura nuk ka përfunduar ende. Të shumtë janë banorët që ankohen se janë ende pa shtëpi e të tjerë që nuk po u japin siguri rikonstruksionet e bëra.
Së fundmi, janë banorët e pallatit nr.1187-1188 në lagjen nr.16, në Durrës, ku banojnë 54 familje. Ata shprehen se kanë marrë dëmshpërblim vetëm për të rregulluar pjesën e brendshme të banesave, ndërkohë që muret e jashtme janë të parregulluara, duke çuar dëm çdo investim.
“E rregulluam brenda, por na mbyti lagështira, myku. Erdhën e lyen murin nga jashtë dhe kaq. Kam shkuar jam ankuar, por askush s’më thotë asgjë, më përcjellin”.
I vlerësuar me shkallën e dëmit DS2, pallati vazhdon të shfaqë probleme dhe pas ndërhyrjes që sipas banorëve ka konsistuar vetëm në lyerje.
“Unë i kam rregulluar vetë. Këta vijnë e lyejnë dhe na e prishin, se hyn lagështira sa herë bie shi. Erdhën e lyen nga jashtë, vetëm bojë. Na thanë hidhni nga 500 mijë lekë që të rregullohet”.
Në Durrës ka mjaft raste kur banorët ngrenë zërin për më shumë përgjegjshmëri gjatë kryerjes së punimeve dhe vlerësim real të nevojave nga pushteti vendor.
Kujotjmë se rindërtimi u zvarrit gjatë kohës së pandemisë, por lidhur me këto vonesa, kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se brenda 6 muajve shumica e të dëmtuarve do të futen në shtëpitë e reja.