Reformat në vendnumëro, Shqipëria nuk merr asnjë fond nga Plani i Rritjes i BE

Shqipëria nuk arriti të përfitojë asnjë fond nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian gjatë vitit 2025, duke treguar një tjetër dështim në përthithjen e financimeve të huaja të lidhura me zbatimin e reformave.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se, ndonëse ishte planifikuar një alokim prej 700 milionë lekësh, rreth 7 milionë euro, nga Plani i Rritjes i BE-së në zërin e investimeve nga fondet e huaja, realizimi faktik për vitin 2025 rezultoi zero.
Ndryshe nga fondet e brendshme që varen nga vendimmarrja e qeverisë, fondet e Planit të Rritjes janë të kushtëzuara me përmbushjen e reformave konkrete. Nëse Shqipëria nuk realizon hapat e kërkuar në fusha si sundimi i ligjit, prokurimet publike apo reforma në administratë, Bashkimi Europian nuk i disburson fondet.
Përveç kësaj, fondet e BE-së kërkojnë standarde të larta fizibiliteti dhe dokumentacioni teknik, të cilat shpesh institucionet shqiptare nuk arrijnë t’i përgatisin brenda afateve të kërkuara.
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 parashikon për Shqipërinë rreth 922.1 milionë euro në formën e granteve të pakthyeshme dhe huave me kushte të favorshme, të cilat do të përdoren për zbatimin e reformave.
Sipas një analize të Drejtorisë së Zgjerimit në BE për “Fondet e BE-së në Shqipëri”, deri tani vendi ka përfituar rreth 163.8 milionë euro, ose rreth 17.7 për qind të totalit të financimit të parashikuar. Rreth 758 milionë euro mbeten ende për t’u disbursuar gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, në varësi të përparimit të reformave dhe përmbushjes së objektivave të vendosura nga Brukseli.
Një nga sektorët më problematikë rezulton energjia. Edhe pse ishte planifikuar një financim prej rreth 2 miliardë lekësh nga fondet e huaja për këtë sektor, gjatë vitit 2025 nuk u alokua asnjë fond.
Në përgjithësi, investimet nga financimet e huaja kanë mbetur shumë poshtë planit. Në vitin e kaluar ishte parashikuar të investoheshin rreth 36 miliardë lekë, por u realizuan vetëm 20 miliardë, rreth 44 për qind më pak se planifikimi fillestar.
Ekspertët theksojnë se institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, BERZH apo KFW kanë rregulla prokurimi shumë më rigoroze se ato vendase. Çdo ankesë në tenderë apo vonesë në miratimin e dokumentacionit nga bankat huadhënëse mund të shtyjë disbursimin e fondeve për vitin pasardhës.
Një tjetër problem mbetet edhe vonesa në proceset e shpronësimit. Shumë projekte të financuara nga jashtë mbeten pezull pasi qeveria nuk arrin të përfundojë në kohë shpronësimet e tokave, duke bërë që donatorët të mos lëvrojnë këstet e radhës.
Megjithatë, investimet kapitale në total gjatë vitit të kaluar arritën rreth 1.4 miliardë euro, me një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin 2024, por kjo rritje erdhi kryesisht nga financimi i brendshëm.
Lexo më tej
Pas dështimit për t’u bërë gjyqtare, motra e Belinda Ballukut, Pamela Qirko pritet të emërohet në krye të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) pritet të plotësojë gjatë këtij muaji strukturën e saj drejtuese ekzekutive. Pas…
11 mijë euro qira te kulla e Bashkim Ulajt, KLGJ bllokon planin e Dvoranit: Apeli do të çonte zyrat dhe dosjet te biznesmeni me dhjetëra çështje që presin gjykim
Gjykata Administrative e Apelit nuk kishte zgjedhur një ndërtesë të zakonshme për të sistemuar 25 ndihmësit ligjorë dhe…
DITA 53/ “Nëse kanë një pikë burrërie, deputetët e opozitës të ngujohen në Parlament”/ Pensionisti: Marr 10 mijë lekë, detyrohem të punoj në të zezë
Një pensionist i pranishëm në protestën e zhvilluar këtë të martë ka deklaruar se është i detyruar të…
Shkon në 2 numri i viktimave të aksidentit tragjik te TEG-u, humb jetën edhe punonjësi i dytë i betonieres
Ka shkuar në dy numri i viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 16:20,…