Skip to content
Të Gjitha

Reforma Zgjedhore/ Basha ‘i bindet’ ambasadorit të BE, por i del kundër Kryemadhit: Jemi gati që nesër

· 3 min lexim

Kreu i opozitës Lulzim Basha është takuar ditën e sotme me përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël, pas dhe fill pas takimit ka dhënë një deklaratë për mediat.

Nga selia e PD-së, Basha deklaroi se mbështet kërkesat e biznesit të vogël dhe e gjithë vëmendja duhet të kthehet tek ky biznes, pasi sipas tij sektor i ekonomisë duhet të ndihmohet sepse është në një krizë shumë të thelllë.

E megjithatë nuk munguan as akuzat ndaj qeverisë, e cila sipas kryedemokratit po ndihmon oligarkët dhe nuk po u jep para atyre që kanë nevojë.

“Biznesi i vogël është në vështirësi të mëdha dhe po shtyhet drejt falimentimit. Kjo rrezikon daljen të papunë të dhjetëra ndoshta qindra e mijëra të vetëpunësuarve nga ky sektor. Gjithë vëmendja e qeverisë është tek oligarkët nuk është tek njerëzit, nuk është tek biznesi por në veçanti tek biznesi i vogël. Por biznesi i vogël përbën motorin e ekonomisë shqiptare, përbën bazën e ekonomisë shqiptare dhe përfshin numrin më të madh të të vetëpunësuarve në këtë sektor.”, deklaroi Basha.

Më herët, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i kërkoi zyrtarisht opozitës që Këshilli Politik të rifillojë javës tjetër dhe të përmbyllet Reforma brenda datës 30 qershor.

Kështu, kësaj ftese Basha iu përgjigj gjatë deklaratës për mediat, ku u shpreh se opozita është gati që të ulet në tryezë që nesër e të zgjidhet çështja e Reformës Zgjedhore.

Basha tha se opozita nuk është tërhequr nga tryeza e Këshillit Politik, duke ia lënë të gjithë përgjegjësinë mazhorancës.

“Gënjeshtra, nuk jemi larguar kurrë nga tryeza, qeverisë i ka munguar vullneti që të shprehet për propozimet tona, ne kemi çuar propozimet tona, kemi gati propozimet e tjera, nëse qeveria është e sinqertë s’ka pse të presim javën tjetër jemi gati që nesër për të përfunduar një orë e më parë për t’ dhënë shqiptarëve një qeveri legjitime që të kujtohet për ekonominë që po bie në gropë”, tha Basha.

Kjo deklaratë e Bashës erdhi në më pak se një orë nga thirrja e ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, për t’u rikthyer në tryezën e Këshillit Politik, duke bërë të qartë që Këshilli duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi Reforma është kusht për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Një qëndrim të ndryshëm ka mbajtur kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila ditën e djeshme deklaroi se Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore nuk do të mblidhet më, pasi tani presin përgjigje nga shumica socialiste për 5 propozimet që i kanë dërguar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Ka një gabim të disa personave apo të zëdhënësve, apo të instrumenteve politikë. Këshilli Politik nuk mblidhet tani sepse e ka mbaruar funksionin e tij, sepse ana e opozitës ka çuar 5 propozime dhe po pret reagimin e Parlamentit, pra të komisionit dhe nesër mblidhet komisioni që do të njihet me 5 propozimet e opozitës. Pra ne si opozitë iu kemi çuar 5 drafte të propozuara për të cilat në njërin nga këto drafte ne jemi dakord që duhet të bjerë dakord shumica.”