Rasti i tretë brenda pak ditësh/ Një tjetër punëtor humb jetën nga rryma elektrike, pikëpyetje për sigurinë dhe mbrojtjen në punë

Një tjetër punëtor ka humbur jetën gjatë punës, duke shënuar rastin e tretë brenda vetëm pak ditësh në ngjarje të lidhura me rrymën elektrike. Viktima e radhës është Klajd Zekthi, 32 vjeç, elektricist i OSHEE-së, i cili humbi jetën teksa ndodhej në terren në zonën e Belshit, pas stuhisë që kishte shkaktuar dëmtime në rrjet.
Ekipet e OSHEE-së kishin dalë për të ndërhyrë dhe rikthyer furnizimin me energji elektrike. Gjatë punës, 32-vjeçari dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike dhe goditja rezultoi fatale.
Ngjarja ngre sërish pikëpyetje serioze mbi kushtet e sigurisë dhe mbrojtjen e punonjësve që dërgohen për ndërhyrje në rrjet. Në një punë ku kontakti me energjinë elektrike mund të jetë fatal brenda sekondash, pajisjet mbrojtëse dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë janë jetike, veçanërisht gjatë ndërhyrjeve pas stuhive dhe dëmtimeve të rrjetit.
Rasti i Belshit vjen vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë në Marglliç të Patosit, ku Ermal Debrova, 46 vjeç, humbi jetën gjatë punës. Paraprakisht dyshohet se ai po montonte një shtyllë elektrike kur pësoi dëmtime të rënda dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Pak ditë më herët, më 8 shtator, një punonjës i Bashkisë Tropojë humbi jetën dhe tre kolegë të tij u plagosën pasi një shtyllë ndriçimi që po vendosnin preku telat elektrikë. Për këtë ngjarje janë ndaluar drejtori i Shërbimeve Publike dhe drejtuesi teknik, të dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Tre viktima brenda pak ditësh e bëjnë të pamundur që çështja të reduktohet vetëm në kronikën e aksidenteve. Për rastet e Patosit dhe Belshit duhet të sqarohet nëse punonjësit kishin pajisjet e nevojshme mbrojtëse, nëse ishin marrë të gjitha masat e sigurisë dhe nëse procedurat e punës ishin respektuar.
Sepse kur tre njerëz humbin jetën në pak ditë duke punuar pranë rrymës elektrike, shqetësimi nuk është më vetëm se si ndodhi secili aksident, por sa të mbrojtur janë realisht punëtorët që dërgohen çdo ditë në terren.