Moody’s ka publikuar raportin e radhës për Shqipërinë, duke e vlerësuar vendin sërish si një vit më parë, një ekonomi e nivelit B1. Gjithashtu në raport shkruhet se vendi ka një ekonomi të vogël, e cila është e ekspozuar lehtësisht ndaj rreziqeve dhe që po tenton të integrohet në Europë për të adresuar problemet me sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Raporti përmend edhe “PPP”, duke shtuar se falë përdorimit të tyre është rritur ndjeshmëria ndaj rrezikut.
Ditën e djeshme ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka publikuar raportin duke thënë se qeveria shqiptare është pengesë kryesore për ecurinë ekonomike të vendit. Sipas saj, në raport kritikohet mungesa e vullnetit të qeverisë për të luftuar krimin e organizuar.
Mirëpo, ndryshe nga PD raportin e agjencisë Moody’s qeveria shqiptare e shikon si vlerësim për ekonominë shqiptare. Ministria e Ekonomisë dhe Financave në një njoftim për mediat thotë se pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, ekonomia shqiptare vijon të vlerësohet qendrueshëm në tregjet ndërkombëtare.
Më tej në njoftim shtohet se raportet e mëparshme të kompanive ndërkombëtare kanë vlerësuar përmirësimin e profilit makroekonomik, progresin në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit.
Në fund MEF e mbyll duke u zotuar se qeveria shqiptare po angazhohet, të adresojë nevojat e qytetarëve për një rimëkëmbje të ekonomisë, përmes propozimeve në Aktin Normativ të Buxhetit të miratuar këtë javë, ndërkohë që Reforma në Drejtësi nuk ka rreshtuar së qenuri prioritet qeverisës.
NJOFTIMI I PLOTE
Raportet e mëparshme të kompanive ndërkombëtare kanë vlerësuar përmirësimin e profilit makroekonomik, progresin në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit. Plotësimi më i fundit, që Moody’s i bën vlerësimit të Shqipërisë, ruan të pandryshuar renditjen e Shqipërisë në B1, pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit në muajin Qershor të këtij viti. Vlerësimi i qëndrueshëm, thekson me pozitivitet dhe me renditjen më të lartë ndër indikatorët, ecurinë e institucioneve dhe qeverisjen e vendit. Moody’s sjell në vëmendje të investitorëve veçanërisht angazhimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, angazhim i konfirmuar edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian në muajin Mars të këtij viti. Përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të reduktuar borxhin publik dhe deficitin buxhetor do të vijojnë në koordinim me institucionet ndërkombëtare, për të siguruar konsolidmin fiskal të financave publike shqiptare, menjëherë pas përballimit të situatës së pandemisë. Diversifikimi i ekonomisë dhe burimeve energjetike po vazhdon përmes projekteve novatore në sektor, duke reduktuar varësinë nga burimet ujore. Paketat e Qeverisë i kanë shërbyer lehtësimit të barrës së biznesit në vend dhe kanë mbështetur qytetarët në këto muaj të pandemisë. Nismat e fundit të Qeverisë do të lehtësojnë klimën e të bërit biznes dhe do të nxisin formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë. Qeveria Shqiptare po angazhohet, të adresojë nevojat e qytetarëve për një rimëkëmbje të ekonomisë, përmes propozimeve në Aktin Normativ të Buxhetit të miratuar këtë javë, ndërkohë që Reforma në Drejtësi nuk ka rreshtuar së qënuri prioritet qeverisës.