Në mbledhjen e organizuar mes kabinetit të tij qeveritar, studentëve, pedagogëve, rektorëve dhe dekanëve, në diskutimet e Paktit për Univeristetit, kryeministri Edi Rama është kthyer në replika nga publiku.
Si përgjigje për një nga pedagogët e pranishëm në takim, ai u shpreh se e gjithë përgjegjësia u takon pedagogëve, ndërsa shtoi se kjo ‘shfaqje me shumë fytyra nuk po mbaron’.
“Dua të bëj një ndërhyrje të shkurtër për zonjën që foli, patjetër që qeveria është e angazhuar në kapacitetin e vet për të dëgjuar studentët. Pyetja ime është po ju zonjë i dëgjoni studentët? Nuk e kam me ju, personalisht.
Qeveria po dëgjon sot, ato që duhet t’i kishit dëgjuar gjithë këto vite, si ligji i arsimit të lartë. Se ato janë fëmijët tanë nuk mund t’i kthejmë në një lojë ping pongu. Ligji për Arsimin e Lartë ju takon ju. U thoni studentëve të vërtetën. Ne nuk duam të bëjmë detyra përtej atyre që kemi. Këto që po bëjmë nuk janë detyrat tona janë tuajat. Nga ligji ju kërkoni liri dhe nuk kërkoni të kenë përgjegjësi. Ato që thonë studentët do t’i bëjmë një nga një. Mos prisni ditën që unë të bëhem me studentët kundër jush.
Do mbarojë historia e doktorit të shkencave që vetëm me shkencën nuk ka lidhje. Ju e dini shumë mirë për çfarë flas. Nuk është problemi te studentët e ngujuar, por te pedagogët që nuk japin mësim. Këto ndërprerje duhet t’i harroni përfundimisht. Të drejtën për të ndërprerë njerëz, duhet ta harroni se del edhe jashtë. I mirëpres të gjitha kërkesat, një gjë është e sigurtë që këtu duhet të ndajmë , kush bën çfarë. Nuk dua të flas, por po flas duke qenë se kjo shfaqje me shumë fytyra nuk po mbaron. Ne nuk mund të bëjmë detyrat që ligji ia ngarkon universitetit”- u shpreh ai.
Rama tha se është për protestë, por jo për bojkot të mësimit dhe ka kërkuar që procesi i dialogut të vazhdojë.
“Duhet të flasim se sa Universitetet gjenerojnë të ardhura. Në botë universitetet gjenerojnë të ardhura. Këtu vetëm nga prindërit dhe buxheti i shtetit.
Ne nuk mund të jemi peng as qeveria, e as studentët. Peng qeverinë s’mund të merrni dot duke bërë presione, duke u fshehur, duke mos bërë mësim. Ne duam që ky proces të ndodhë. Parimisht duam që të ndodhë? Duam. Bukur bëni propozimet. Qeveria s’ka punë të bëjë vetting akademik.
Unë për veten time këtë protestë nuk e lë sikur të ngelem vetëm. Jam i gatshëm t’i mbaj të gjitha përgjegjësitë, edhe për borën që bie, por për budalla mua njeri dot nuk më bën”, tha Rama.
Pas fjalës së një studenteje nga Shkodra, e cila tha se studentët duhet t’i kenë të plotësuara nevojat e tyre pa qenë nevoja të protestojnë, shefi i qeverisë tha se kjo është demokracia.
“Zemra ime kur në moshën tënde studentët kanë dalë për të përmbysur qeverinë bënë një zgjedhje të qartë, të mos kemi asgjë të sigurt, por të luftojmë të gjithë bashkë që e ardhmja të jetë e sigurt. Kemi zgjedhur të jetojmë në demokraci, kemi zgjedhur një sistem zgjedhje të lirë të personit,”-tha Rama.