Skip to content
Aktualitet

Rama pranon vaksinat ruse, mbërrijnë në Shqipëri 10 mijë doza “Sputnik”

· 2 min lexim

Mbërrijnë në Aeroportin e Rinasit 10,000 doza të vaksinës ruse “Sputnik” kundër koronavirusit. Shqipëria duket se ka pranuar përdorimin e vaksinës ruse, ndonëse jo drejtpërdrejt me marrëveshje përmes dy shteteve.

Sipas informacioneve nga Kryeministria, sasia e vaksinave anti-Covid i janë bërë dhuratë Shqipërisë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed. Vaksinat u pritën në aeroportin e Rinasit nga dy ministrat Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj.

“Është një hap përpara në kilometrin e fundit drejt fitores. Do të vijojmë për të siguruar akoma më shumë vaksina, në mënyrë që të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur vaksinimin masiv të popullatës, për të lehtësuar edhe sezonin turistik. Komuniteti i Imunitetit ka dhënë gjithë garancinë për efektivitetin e vaksinave dhe ofrojnë sigurisht edhe certifikim”, tha mes të tjerash ministrja e Shëndetësisë.

Kujtojmë se lajmi se “Sputnik” do të vinte dhe në Shqipëri, është bërë i ditur më herët nga kryeministri Edi Rama. Pas qëndrimeve të fundit të tij lidhur me shtetet e BE, që sipas tij nuk po i ndihmojnë Ballkanin, Rama tha se ishte i hapur edhe për vaksinat ruse.

Gjithashtu, rreth një javë më parë qeveria shqiptare i ka dhëne dritën jeshile përdorimit të vaksinave ruse por edhe atyre kineze, duke publikuar në fletoren zyrtare akti normativ, i cili ndryshon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid në Shqipëri për përdorimin e tyre në popullatë.

Në ndryshimin e bërë në aktin e ri normativ, Shqipëria i hapi derën jo vetëm vaksinave të aprovuara nga agjencia amerikane dhe europiane e barnave, por edhe vaksinave të cilat kanë miratimin e autoriteteve në shtetin përkatës ku ato prodhohen këto vaksina anticovid.