Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi që të mblidhet kuvendi të enjten dhe të miratojë ligjin për rritjen e pagave. Sipas Berishës janë Rama dhe Alibeaj që e kanë bllokuar këtë projektligj.
“Në këtë fushatë Edi Rama nuk kursen gënjeshtrën pa lëshuar, nuk kursen fjalë të denjë për të të papërdorur. Jam zotuar që të mos merrem me fjalorin e tij, por të merrem me problemet e mëdha që ky regjim iu ka krijuar qytetarëve. Të merrem me paraqitjen e alternativës sonë për zgjidhjen e tyre. Këtë po bëjnë kandidatët tanë në mbarë Shqipërinë. Kemi ftuar për ballafaqime televizive apo në shesh për transparencë të zgjedhësve shqiptarë.
Jam sot këtu për t’i shkurtuar këmbët mashtrimit të paskrupullt të tij me rrogat dhe pensionet. Edi Rama pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë si drita e diellit se rritja e çmimeve i zhyti shqiptarët në varfëri, duke i detyruar ata që të largohen nga Shqipëria. Ai lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash, ndër të tjera paraqiti një ligj në Parlament me të cilin do të përcakton te rritjen e rrogës mesatare, 900 euro.
E vërteta është ligjin e bllokoi vetë në Parlament, në një marrëveshje të turpshme me Alibashën, duke mbyllur parlamentin. Këtë e bëri vetëm e vetëm se ai premtim ishte mashtrim. Jam sot këtu në emër të qytetarëve shqiptarë, demokratë dhe socialistëve, dhe të paparti. Të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Të tallesh me njerëz që numërojnë edhe qindarkat e fundit. I them Ramës, bëhu një herë qoftë, për një moment më të shkurtin, njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin e rritjes së rrogave.”, tha Berisha.