Skip to content
Politikë

Mori pjesë në fushatën elektorale në Kukës, mbërrin në KQZ shkresa për gjobitjen e Dallëndyshe Bicit

· 2 min lexim

Pak ditë pasi Dallëndyshe Bici,  Drejtoresha e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës u denoncua për pjesëmarrje në takimet elektorale, sot në KQZ ka mbërritur një shkresë ankimore, ku kërkohet marrja e një mase administrative (gjobë), për të.

Kërkesa ankimore është bërë nga “Qëndresa Qytetare” e cila kërkon konstatimin e shkeljes dhe gjobitjen për pjesëmarrjen në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen me 14 maj.

Po ashtu së bashku me Dallëndyshe Bicin kërkohet edhe gjobitja e Partisë Socialiste.

Kërkesa ankimore  erdhi kur Dallëndyshe Bici mori pjesë në një takim elektoral në Kukës, në mbështetje të kandidatit socialist, Safet Gjici disa ditë më parë. Kujtojmë se në fjalën e saj, Bici u shpreh “se jam këtu me bekimin e kryeministrit”.

“Jam këtu me bekimin e Kryeministrit në krah të kandidaturës me të mirë për Kukësin. Duke qenë drejtoreshë për shumë vite në qeverinë shqiptare më është dhënë mundësia për të punuar edhe me kryetarë bashkie te djathtë, por me kryetar Safetin nuk më ka pushuar telefoni për hallet tuaja, për hallet e gjithësecilit” , tha Bici para disa ditësh.

Ndërkohë këtë të hënë KQZ dorëzoi në KAS kërkesën për gjobitjen e 20 kryebashkiakëve për përdorjen e burimeve publike për nevojë të fushatës së tyre elektorale.