Tema e inceneratorëve është një problematikë aktuale. Në një analizë nga Blendi Kajsiu, thekoshet se inceneratorët janë si radiografi e qeverisjes Rama, ndërsa deklaron se në Shqipëri qeveritarët vjedhin buxhetin e shtetit dhe iu kërkojnë qytetareve solidaritet me Ukrainën
Nga Blendi Kajsiu
Tre janë karkteristikat problematike të aferës së incerenatorëve. Së pari, mungesa e transparencës dhe konkurrencës në kontraktimin e firmës për ngritjen e incerenatorëve. Së dyti, voluntarizmi politik që i mbivendoset procedurës administrative. Dhe së fundi, e si pasojë e dy të parave, vjedhja e fondeve publike nga ana e zyrtarëve shtetëror dhe aktorëve privat.
Mungesa e transparencës dhe konkurrencës u evidentua tek mënyra e kontraktimit pa një garë të hapur të firmave Albetech Energy dhe Integrated Energy BV për ndërtimin e tre inceratorëve. Firma Albtech Energy u vetëofrua the shteti pranoi ofertën e saj, pa hapur një tender publik, dhe pa shpallur një garë ku mund të afroheshin dhe ofroheshin edhe firma të tjera, me më shumë kapacitete dhe eksperiencë në fushën përkatëse.
Jo vetëm kontraktimi por edhe ndërtimi i incerenatorëve është bërë në mënyrë krejtësisht jo-transparente dhe në sheklje të ligjit që kërkon konsultimin me banorët e zonës ku do ndërohet incerenatori. Në rastin e inceneratorit të Fierit, në shkelje të qartë të ligjit, banorët u njoftuan vetëm disa muaj pasi filloi ndërtimi i tij, cka prodhoi edhe protestat e tyre (shiko këtu artikullin e Zërit të Amerikës për këtë rast https://www.zeriamerikes.com/a/koncesionet-inceneratoret/4406473.html)
Voluntarizmi politik del qartë tek aprovimi i përshpejtuar dhe shpesh anti-ligjor i koncesioneve të incerenatorëve, që nga shkelja e afateve kohore për ankimimin e dhënies së koncesionit, prodhimi i një morie vendimesh për incerenatorët nga qeveria dhe ministritë e saj brenda të njëjtës ditë, dhe deri tek mungesa e kontrollit të kapaciteteve të firmës së kontraktuar. Pa përmendur firmën e hedhur nga kryetari i bashkisë së Tiranës pa miratimin e këshillit bashkiak.
Të gjithë këto fakte tregojnë se kishte një vullnet të qartë politik “nga lart” për t´ia dhënë kontratën firmave në fjalë, edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit kish identifikuar një sërë gabimesh, shkeljesh dhe rreziqesh tek kontratat e incerenatorëve. (Shiko një përmbledhje të raportit të KLSH nga gazetari Besart Likmetaj këtu: https://www.reporter.al/2020/07/06/qeveria-i-vuri-flaken-ligjit-per-te-miratuar-inceneratorin-e-tiranes/ ). Ishte ky voluntarizëm që shkërrmoqi të gjitha procedurat dhe institucionet që shërbejnë si mburojë ndaj keqmenaxhimit apo abuzimit me fondet publike.
Rezultati tashmë dihet. Dy firma fantazëm, pa kapacitetet dhe ekpseriencën përkatëse në fushën e menaxhimit të mbetjeve, të krijuara nga tre individë anonim dje, dhe sot në kërkim për abuzim me fondet publike, përfitojnë kontrata dhe pagesa prej miliona eurosh nga shteti. Me këto para ata paguajnë jo vetëm vetveten por edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, dhe familjarë të zyrtarëve të lartë socialist. Ndërkohë qeveria Rama vazhdom të paguaj dy firmat e incerenatorëve me pronarë të shpallur në kërkim!
Problemi është se nuk kemi të bëjmë me një anomali që buron nga një grusht zyrtarësh të korruptuar. Kontratimi i incerenatorëve është një shembull tipik i vetë modelit të qeverisjes Rama. Ai është bërë sipas formulës Partneriteti Publik Privat (PPP) që nuk është përjashtimi por norma e ekzekutimit të buxhetit. Në fakt sipas revistës Monitor Shqipëria në vitin 2018 zë vendin e parë në Evopë për dhënien e koncesioneve nëpërmjet formulës PPP (shiko: https://www.monitor.al/shqiperia-rekord-ne-europe-per-koncesionet-e-partneritetit-publik-privat-ppp-rreziqet/ ).
Rreziqet e kësaj formule, sidomos në modalitetin “propozime të pakërkuara”, janë të njohura dhe janë ngritur si nga aktorët lokal edhe nga ata ndërkombëtar. Studimet e kësaj formule kanë treguar se ajo e dëmton konkurrencën ekonomke pasi krijon monopole private afatgjata që ushqehen nga buxheti publik, rrit borxhin publik në mënyrë jo transparente, prodhon shërbime publike që janë më të kushtueshme si për shtetin edhe për qytetarin dhe krijon hapësira të mëdha korrupsioni. (shiko https://www.world-psi.org/sites/default/files/rapport_eng_56pages_a4_lr.pdf ).
Pikërisht për këtë arësye Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) u shpreh qartë kundër formulës PPP që përdoret nga qeveria Rama që në vitin 2018 duke i kërkuar asaj të mos bëjë asnjë kontratë të madhe koncesionare, pasi i mungojnë kapacitetet për vlerësimin e kostove dhe përfitimeve publike nga këto kontrata (shiko https://www.reporter.al/2018/03/09/fmn-kritikon-programin-1-miliarde-euro-koncesione-te-rames/ ).
I njëjti shqetësim është ngritur edhe nga expertët lokal si Zef Preci që kanë argumentuar se qeverisja nëpërmjet PPP-ve shkatërron konkurrencën ekonomike dhe prodhon korrupsion. Sipas Precit “tipari më i dukshëm i përbashkët i kontratave të llojit PPP dhe “Shqipëria 1 Euro” është kontraktimi nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë i operatorëve ekonomikë (kryesisht oligarkë ose kompani të krijuara posaçërisht dhe klientë të saj) duke shmangur kështu konkurrencën”. (shiko artikullin e plotë këtu: http://www.panorama.com.al/te-clirojme-konkurrencen-nga-kapja-permes-ligjeve-klienteliste/). Kombinuar me voluntarizmin politik të Ramës dhe dobësinë e admnistratës sonë publike PPP-të kthehen në burim jo vetëm korrupsioni por edhe inefikasiteti.
Ekzistojnë dyshime dhe shqetësime edhe në lidhje me efikasitetin dhe teknologjine e vjetër të inceneratorit të ndërtuar në Elbasanit që nuk ofron zgjidhje për problemin e mbetjeve atje. Për të kuptuar këtë mjafton fakti se inceneratori i Elbasanit që u përurua në vtitin 2017 përpunoi vetëm 11% të mbetjeve në Elbasan në vitin 2020. Në këtë vit Elbasani ishte një nga tre qytetet me përqindjen më të lartë të mbetjeve të papërpunuara në Shqipëri, edhe pse aty kishte incenerator (shiko https://www.monitor.al/inceneratori-i-elbasanit-perpunoi-vetem-11-te-mbetjeve-te-gjeneruara-ne-qark-me-2020/ )
Ky inefikasitet buron nga fakti se qeverisja Rama më shumë se tek administrata profesionale apo ekspertiza bazohet tek vullneti i palimituar i kryeministrit, cka reflektohet tek ulja gjithnjë e më e madhe e profilit të ministrave. Në qeverinë e fundit disa prej tyre nuk mund ti gjeje as në google dhe jo më në sferën publike shqiptare. Kështu Rama ka krijuar prej kohësh një qeveri me vartës dhe jo me partnerë, me të cilët mund të debatojë dhe konsultohet. Për pasojë qeverisja aktuale reflekton inkoherencat dhe tekat e një individi që shpesh bien ndesh me ligjin dhe strategjitë kombëtare të zhvillimit të miratuara nga po ai vetë.
Kështu zhvillimi i tre incerenatorëve bien ndesh me Planin Kombëtar Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të miratuar nga Qeveria Rama në vitin 2020 që përcakton riciklimin si prioritet dhe jo djegien. Gjithashtu bie ndesh me Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të vitit 2011 që në nenin 6 percakton si më prioritar riciklimin dhe jo asgjësimin e mbetjeve:
Neni 6 Përparësitë e menaxhimit të integruar të mbetjeve
- a) parandalimin e mbetjeve;
- b) përgatitjen për ripërdorim;
- c) riciklimin;
ç) rikuperime të tjera;
- d) asgjësimin.
Politika e incenerimit i jep prioritet asgjësimit të mbetjeve mbi riciklimin e tyre duke hedhur në plehra ligjet dhe strategjitë e mëparëshme në këtë fushë. Dhe ky është një shqetësim që ambientalistët shqiptar si Lavdosh Ferruni e kanë ngritur prej kohësh (shiko https://mjedisi.al/te-tjere-kosha-per-riciklim-nje-tjeter-mashtrim/). E megjithatë dyshoj se ka ndonjë ministër sot që guxon tia vërë në dukje këtë inkoherencë kryeministrit.
Një qevrisje voluntariste, pa frena të brendëshme, me formula qeverisëse jo transparente dhe pa konkurrencë si PPP-të prodhon korrupsion dhe kapje të shtetit. Ajo që ka tronditur opinionin publik në rastin konkret nuk është thjesht prezenca e korrupsionit apo shkeljet ligjore, por banaliteti i aferës së incerenatorëve. Nën propagandën e opozitës qytetarët janë bindur se Rama i bënte aferat me oligarkët e tij. Ata e dinin se koncesionet i merrnin monopolistët e mëdhënj si Kastrati, që gjithësesi kishin kapital, eksperiencë dhe kapacitete administrative për të realizar projekte të mëdha.
Në rastin e inceneratorëve situata është edhe më e rëndë. Nuk kemi as oligark, as firmë me kapacietete, eksperiencë apo kaptial që të justifikonte dhënien e një kontrate multimilionare, qoftë edhe pa garë. Kemi thjesht një firmë fantazëm që shpërblen në mënyrë direkte politikanët që i dhanë kontratën. Para kemi të bëjmë jo me kapjen indirekte por me zhvatjen e pakmufluar të shtetit.
Në këtë aspekt afera e incerenatorëve shërben si një radiografi që na tregon se tumori i keq-qeverisjes është përkeqësuar ndjeshëm. Radiografia e inceneratorëve tregon se pushtetarët nuk po mundohen më as ta fshehin vjedhjen nëpërmjet oligarkëve por po e bëjnë atë në mënyrë direkte. Dhe ky është një degradim tronditës, edhe për Shqipërinë.
Aq më tepër kur të njëjtët qeveritarë që vjedhin buxhetin haptas i kërkojnë qytetarëve të përballojnë rritjen e cmimeve dhe të shtrëngojnë rripin në solidaritet me Ukrainën. Një qeverisje që jo vetëm i vjedh por edhe i ofendon qytetarët shqiptar është e destinuar të prodhojë protesta.