Skip to content
Kryesore

Punimet në Koridorin VIII izolojnë fshatrat në Librazhd, banorët në protestë: Pa makina e transport publik, si do të lëvizim?

· 1 min lexim

Banorët e Mirakës në Librazhd kanë dalë në protestë kundër mënyrës se si po zhvillohen punimet për zgjerimin e Koridorit VIII, duke kërkuar zgjidhje për vështirësitë e krijuara në lëvizje dhe transport.

Sipas tyre, ndërhyrjet në rrugë kanë vështirësuar aksesin drejt fshatit, ndërsa problematika prek shtatë fshatra të Bashkisë Librazhd dhe dy të Bashkisë Elbasan. Banorët thonë se qarkullimi në një prej drejtimeve është bllokuar, duke kufizuar ndjeshëm lëvizjen.

Situata është rënduar edhe nga ndërprerja e linjave të transportit ndërqytetas. Më të prekur janë banorët që nuk kanë automjete personale dhe varen nga transporti publik për të udhëtuar drejt qyteteve apo për t’u kthyer në banesat e tyre.

“Për ne kjo është një situatë e papërballueshme. Jo të gjithë kanë automjete dhe transporti publik është i domosdoshëm për banorët e fshatrave”, shprehen banorët.

Ata kërkojnë që gjatë zhvillimit të punimeve të garantohet një zgjidhje që mundëson lëvizjen dhe funksionimin normal të transportit për zonat e prekura.