Skip to content
Kryesore

PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, 82 vota kundër. Opozita bllokon seancën

· 2 min lexim

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Me 82 vota kundër, shumica socialiste nuk ka pranuar kërkesën e SPAK për heqjen e lirisë së saj.

Seanca plenare nisi në orën 10:00 dhe u shoqërua me tensione të forta politike. Nga radhët e mazhorancës munguan kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe deputeti Fatmir Xhafaj.

Gjatë zhvillimit të seancës, deputetët e opozitës tentuan të bllokonin punimet e Kuvendit, ndërsa shumica socialiste vijoi procedurat parlamentare dhe kaloi për votim edhe projektligjet e rendit të ditës.

Paralelisht me zhvillimet brenda sallës së Parlamentit, jashtë godinës u zhvillua edhe protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Ndryshe nga protestat e mëparshme të mbajtura në mbrëmje, këtë herë tubimi u organizua gjatë zhvillimit të seancës plenare.

Që prej mbrëmjes së të mërkurës, zona përreth Parlamentit ishte vendosur nën masa të shtuara sigurie. Institucioni u rrethua me gardh metalik si masë paraprake për të shmangur përshkallëzimin e protestës.

Sipas raportimeve, deputetët e Partisë Socialiste hynë herët në ambientet e Kuvendit për të shmangur kontaktin me protestuesit e opozitës, të cilët ishin thirrur të mblidheshin dhe të rrethonin godinën e Parlamentit.

Në sallën e Kuvendit, përplasjet politike u përqendruan te kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut, ndërsa jashtë godinës mbështetës të opozitës protestuan kundër vendimit të mazhorancës.