Betonizimi i parkut “Rinia” të qytetit të Elbasanit ka revoltuar opozitën dhe qytetarë të shumtë që janë ngritur në protestë.
Protestuesit nga parku “Rinia” ku u mblodhën fillimisht kanë marshuar përgjatë bulevardit kryesor “Aqif Pasha”.
Sipas grupit të deputetëve të PD për Elbasanin, Edmond Spaho, Endri Hasa dhe Luçiano Boçi si dhe Ervin Minarollit sekretar për burimet njerëzore në PD, protesta është e drejtuar dhe e promovuar nga qytetarët vetë dhe të zgjedhurit në Parlamentin e Shqipërisë.
Pjesëmarrësit në këtë protestë janë qytetarë të zakonshëm të ardhur me vullnet të lirë e shpirt revolte ndaj mijëra padrejtësive që iu janë bërë atyre nga qeveria aktuale, sipas PD.
Në këtë protestë sipas drejtuesve të degës së PD Elbasan, ishte thirrur çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, por që e ndjen se brenda tij ka pakënaqësinë, zhgënjimin, zemërimin, por dhe dëshirën për të ndërtuar shpresën dhe të ardhmen për veten familjen e qytetin.
Kjo protestë sipas të djathtës elbasanase, nuk është aleancë politike, por aleancë qytetare. Deputetët e PD kanë theksuar se në protestë kishte masivisht të djathtë, por edhe militantë të PS të cilët ishin bërë pjesë e marshimit kundër papunësisë, varfërisë, krimit, pasigurisë, zhgënjimit, përçmimit që qeveria Rama, sipas PD, ia ka bërë peshqesh me votën e tyre Elbasanit, këto gjashtë vite arrogance të pashembullt.
Në protestë me elbasanasit ishin bashkuar edhe ambientalistë. Ajo u mbyll me marshimin në bulevard deri në sheshin midis bashkisë, prefekturës dhe këshillit të qarkut Elbasan.