Mbrëmjen e sotme presidenti Ilir Meta ka komentuar për herë të parë protestën e dhunshme të zhvilluar më datë 8 janar përpara selisë së Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin “Click Plus” në Maqedoninë e Veriut, aty ku po zhvillon një vizitë zyrtare, Meta tha se përgjegjësi i vetëm për dështimet e opozitës është kryedemokrati Lulzim Basha.
“Përgjegjësia ekskluzive për dështimet e opozitës i takon Lulzim Bashës,”- tha mes tjerash presidenti Ilir Meta.
Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me ata të Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim. Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara.
Ndërkohë kujtojmë se që kryedemokrati Lulzim Basha ka postuar një video të dhunës së ushtruar ditën e shtunë në selinë blu. Basha shkruan se me këtë shfaqje të shëmtuar dhune, Sali Berisha vulosi ditën e tij të fundit në politikë. Shumica absolute e demokratëve e braktisi atë dhe kriminelët me të cilët kërkoi të shkatërronte Partinë Demokratike
“ Me këtë shfaqje të shëmtuar dhune, Sali Berisha vulosi ditën e tij të fundit në politikë. Shumica absolute e demokratëve e braktisi atë dhe kriminelët me të cilët kërkoi të shkatërronte Partinë Demokratike. Demokratët qëndruan sot me vendosmëri dhe qytetari në mbrojtje të Shtëpisë së Lirisë, si shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim”- shkruan Basha.