Ditën e sotme Operacioni Forca e Ligjit (OFL) ka zbarkuar në Fier dhe Divjakë. Mësohet se OFL iu ka dërguar formularët Aldo Gorresë, Marenglen Halkës, Leonard Hykës dhe Redon Konit. Subjeketet e OFL-së janë dënuar për vjejdhje, prostitucion, drogë dhe grup të strukturuar kriminal. Ata duhet të deklarojnë pasurinë e tyre brenda 48 orëve dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
A. G., banues në Divjakë, Lushnjë, i dënuar në Itali për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;
M. H., banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
H., banues në Patos, Fier, i dënuar për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i narkotikëve”;
K., banues në Patos, Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.