Skip to content
Të Gjitha

Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencë për rigjykimin e Izet Haxhisë, dosja “Azem Hajdari” drejt SPAK-ut

· 1 min lexim

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit dhe e ka dërguar te Krimet e Rënda.

Kërkesa është bërë sot nga dy prokurorët, ndërsa Gjykata Penale do të vendosë më 20 shtator nëse do ta mbajë apo do ta shpallë moskompetencën, shkruan “Shqiptarja.com”.

Vetë Krimet e Rënda do të funksionojnë edhe pak dhe nëse pranohet kërkesa e Prokurorisë së Tiranës, çështja do të shkojë në SPAK.

Izet Haxhiaj është njëri nga të dënuarit për vrasjen e Azem Hajdarit, i cili ka fituar të drejtën e rigjykimit.

Avokati i tij, Bashkim Nikolli tha në “Report tv” para disa ditësh se nuk do të kërkohet gjykim i shkurtuar, pasi ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë.

Gjithashtu është rrëzuar edhe kërkesa e Haxhisë për ndryshimin e trupës gjykuese.

Izet Haxhia u ekstradua pak muaj më parë nga Turqia.

Ai është dënuar 25 vite në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa Jahi Sali Mulosmani është dënuar përjetë, për të njëjtin krim.

Gjatë kohës që Sali Berisha ka mbajtur postin e presidentit, Haxhia ka qenë truproja e tij.