Prishja e kontratave të HEC-eve: Çfarë fshihet në të vërtetë pas lëvizjes së fundit të ministres Balluku

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pas një fushatë të gjatë inspektimesh dhe verifikimesh që duket se lënë për të dëshiruar, një ditë më parë, zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, doli në një deklaratë për mediat ku bëri të ditu se do të Ministria do të ndërpriste në mënyrë të njëanshme kontratat koncesionare për 17 HEC-e.

Duke cituar si shkak mosrespektimin e  afateve proceduriale, kushteve ligjore dhe kritereve të përcaktuara në leje dhe kontrata, zëvendës ministri bëri me dije se ka nisur procedurat për ndërprerjet e kontratave dhe po veprohet me kujdes në mënyrë që të mos ketë implikime financiare me buxhetin e shtetit. Thënë thjesht, që të gjithë kompanitë të cilat penalizohen nga këto masa, të mos nisin procese gjyqësore që do t’u sillnin dëmshpërblime të majme, që vijnë nga buxheti i shtetit e rrjedhimisht nga xhepat e taksapaguesëve shqiptarë.

Por për këdo që ka sadopak informacion në lidhje me këtë çështje, është e qartë se një gjë e tillë do të paraqitet disi e vështirë për t’u shmangur. Kjo pasi lëvizjet e ashtuquajtura të “dorës së hekurt” të ministres Blinda Balluku, në fakt lënë vetëm dy rrugë veprimi për investitorët si shqiptarë ashtu dhe të huaj.

Rruga e parë është pikërisht ajo që i druhet zëvendës ministri Bonati, sikurse u shpreh në deklaratën e tij: ajo e dëmshpërblimit. Siç ka mësuar “gazetareforma.com”, shumë prej kompanive të cilat janë penalizuar nga ky vendim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë ndjekur me përpikmëri udhëzimet e institucioneve përgjegjëse për marrjen e lejeve të nevojshme dhe kanë investuar në projektet që vetë Ministria i ka aprovuar. E gjithë kjo, vetëm për t’u përballur më pas me ndërprerjen e kontratave të urdhëruar nga vetë institucionet shtetërore që i kanë aprovuar. Dhe çfarë u mbetet investitorëve të bëjnë përveçse të kërkojnë dëmshpërblimet e tyre në rrugë gjyqësore?

Këtu paraqitet dhe rruga e dytë: ajo e korrupsionit. Një shqetësim të tillë e ka shprehur pak kohë më parë dhe vetë administratori i Konfindustrias Gjergj Buxhuku, i cili në një deklaratë për mediat në periudhën e “ngrirjes së kontratave” është shprehur se përveçse një vendim i tillë nuk i sjell zgjidhje problematikave të këtij sektori, hap rrugën për afera korruptive. Në kushtet e sotme, ndërprerja e këtyre kontratave në mënyrë arbitrare, ngre dyshime të forta se qëllimi është pikërisht ky: përfitimi në kurriz të operatorëve, që në vend që të shohin investimet e tyre të humbin në tym, mund të zgjedhin të paguajnë nën dorë në mënyrë që të ashtuquajturat “zona të mbrojtura” të zhvendosen si me magji diku tjetër në territorin shqiptar, nga institucione si Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura apo Agjencia Kombëtare e Mjedisit, që nuk është aspak një skenar i ri për vendin tonë.

Por përtej dëmshpërblimeve që mund të hanë një kafshatë të bëshme në buxhetin e shtetit dhe aferave korruptive që shihen në horizont, kjo lëvizje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë step drejtpërdrejt përveç investitorëve shqiptarë dhe investitorët e huaj, të cilët përballen me një klimë të paqëndrueshme dhe aq më tepër kërcënuese për biznesin, në një sektor që mban në këmbë ekonominë shqiptare.

Shpërndaje
Share.

Komento