Pretendohet se është paguar për ta vrarë/Lulzim Berisha përballë atentatorit ne sallën e gjyqit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Lulzim Berisha u paraqit ditën e sotme, në sallën e gjyqit në procesin ndaj 35-vjeçarit Ahmet Ajeti, i cili akuzohet se në vitin 2005 ka bërë një atentat për vrasjen e Berishës. Në këtë seancë , me pretendimin se vjen si i dëmtuar në proces, Berisha nuk ka pranuar të dëshmojë.

Ahmet Ajeti është dënuar në mungesë me 20 vjet burg për tentativë vrasje.
Ai u ekstradua nga Lipjani i Kosovës, në Shqipëri 4 muaj më parë dhe më pas kërkoi rihapjen e çështjes dhe rishqyrtimin e dosjes në prani të tij.

Për shkak të mosparaqitjes së Lulzim Berishës, proceset gjyqësore kanë dështuar disa herë te Krimet e Rënda.
Më 30 gusht të 2005-ës, thuhet se Ahmet Ajeti dhe O. K., të porositur nga anëtarët e “bandës së Durrësit” Adriatik Coli dhe Endrit Dokle, kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë Lulzim Berishën. Në afërsi të lokalit ku ndodhej Berisha, para se të kryhej atentati, Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën ku dhe është vetëplagosur.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje”, për këtë arsye ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 07.03.2016.

Ajeti pretendohet se është paguar me 80 mijë euro në vitin 2005 për të vrarë Lulzim Berishën. Ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai ka qenë pjesë e bandës së Endrit Dokles e Adriatik Colit. Pas bashkëpunimit me drejtësinë, Coli është liruar nga burgu në vitin 2015, ndërsa Dokle vijon të vuajë dënimin e përjetshëm për vrasje e krime të tjera të kryera gjatë kohës që ka qenë pjesë e bandës famëkeqe të Durrësit.

(BalkanWeb)

Shpërndaje
Share.

Komento