Skip to content
Politikë

‘Po e quajnë grek’, Zhupa reagon ashpër për Butrintin: I hiqet e drejta shtetit

· 2 min lexim

Deputetja e Partisë Demokratike (PD), Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për menaxhimin e qytetit antik të Butrintit nga një Fondacion privat. Zhupa, duke folur për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ka kritikuar vendimin që, sipas saj, e heq përgjegjësinë e shtetit mbi këtë pasuri kombëtare dhe i hap rrugë privatizimit të menaxhimit të parkut.

“Për të vendosur të lërë në fuqi koncesionin e Butrintit, Gjykata Kushtetuese ka shënuar një datë në historinë e Shqipërisë që gjykohet ndryshe në Konventën e Parisit dhe nga UNESCO. Raporti i UNESCO-s u fsheh nga shteti shqiptar, duke dëmtuar transparencën dhe integritetin e menaxhimit të këtij sitit arkeologjik,” deklaroi Zhupa.

Ajo shtoi se Fondacioni, i cili tani do të menaxhojë Butrintin, nuk do të jetë subjekt i auditimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), një vendim që sipas saj cenon kontrollin dhe mbikëqyrjen e duhur.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nuk ka problem që kjo pasuri kombëtare të quhet edhe greke dhe se Fondacioni mund të auditojë vetëm nëse i jepet leje nga Fondacioni vetë. Ky është një hap prapa për pavarësinë dhe transparencën e auditimeve në çdo pasuri kombëtare,” theksoi Zhupa.

Deputetja theksoi se marrëveshja e nënshkruar nga ministri, i cili është anëtar i bordit të Fondacionit, është në konflikt interesi dhe që kjo çështje nuk është vetëm politike por prek direkt të drejtat dhe trashëgiminë e qytetarëve shqiptarë. Zhupa paralajmëroi se do të kërkojë ndërhyrjen e SPAK dhe ndërkombëtarëve për të adresuar këtë çështje.

“Ne besuam se pas reagimit të UNESCO-s, gjykata do të ishte në anën e qytetarëve. Turpin le ta mbajnë ata që e bëjnë. Historia do të gjykojë anën e duhur dhe ne jemi në anën e duhur,” përfundoi Zhupa.

 

LEXO MË SHUMË:

“Të pavëtetat për koncesionin e Butrintit”, Zhupa rrëzon deklaratat e Martin Matës

UNESCO kritika të forta qeverisë shqiptare për Butrintin

VOA: Butrinti rrezikon të përfshihet në ‘Listën e Pasurive Botërore në Rrezik’