Skip to content
Të Gjitha

Plehrat “pushtuan” Durrësin për disa ditë me radhë, Këshilli Bashkiak miraton emergjencën mjedisore

· 1 min lexim

Disa ditë më parë në media qarkulluan foto nga qyteti i Durrësit, ku koshat e plehrave nuk “ishin prekur me dorë” nga punonjësit e bashkisë për shumë ditë me radhë.

Mbyllja e vend-depozitimit të Porto Romanos, solli që mbetjet e Bashkisë Durrës të dërgoheshin në Manzë për djegie.

Qeveria të hënën zhvilloi një takim me ekspertët dhe u vendos që të gjitha mbetjet e Durrësit do të dërgohen në landfillin e Sharrës në Tiranë.

Ditën e sotme Këshilli Bashkiak ka shpallur emergjencën mjedisore për plehrat që “pushtuan” Durrësin dhe që u kthyen në një “kancer” të vërtetë për qytetarët e Manzës dhe të Durrësit po ashtu.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme dhe përfshin të gjithë bashkinë e Durrësit.

Alarmi i parë për mbetjet erdhi nga banorët e Manzës.

Këta të fundit protestuan pak ditë më parë duke bllokuar rrugën ku kalonin kamionet me plehra.

Pa pikën e përgjegjshmërisë tonela mbetje u hodhën pranë qendrave të banuara duke helmuar banorët e zonës, por dhe duke iu vënë flaka duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.