Durrësi i mbytur nga plehrat, Rama: Brenda pak ditëve do zgjidhet situata, gjithçka nisi pas projektit në Porto Romano
Kryeminsitri Edi Rama ka folur sot për një prej temave më të bujshme këto ditë, mbetjet në Durrës dhe djegia e plehrave në Manzë.
Në një intervistë për “Open”, Rama u shpreh se situata do zgjidhet brenda javës dhe të gjitha mbetjet e Durrësit do dërgohen në landfillin e Sharrë në Tiranë.
Po ashtu, kryeministri u shpreh se kjo situatë ka ardhur si pasojë e projektit të ridimensionit të Porto Romanos, që është projektuar që të bëhet një park i madh urban.
“Po shpjegoj shumë shkurtimisht arsyet e këtij ngërçi dhe zgjidhjen e tij. E gjitha nis nga një tranformim që ne e kemi nisur, që është për Porto Romanon. Kemi bërë një projekt ambicioz, për ndërtimin e një parku të madh urban kur për disa dekada ka qenë me vargmale plehrash dhe mbi popullim derrash, derra të vërtetë. Pas tërmetit në situatën e befasishme që u gjendëm e shpejtuam vënien në lëvizje të projektit dhe filluam sistemimin e terrenit atje. Këto ditë që flasim po kryhet një proces finalizmi dhe negocimi me bashkinë e Durrësit dhe agjencinë shtetërore dhe shumë shpejt brenda javës do kemi një marrëveshje, për të bërë lëvizjen e të gjitha mbetejve në Durrës drejt landfillit të Sharrës”, u shpreh Rama.
Pak ditë më parë në media, u denoncuan rastet kur koshat e plehrave në Durrës nuk ishin prekur me dorë për disa ditë me radhë nga punonjësit e Bashkisë.
Mbyllja e vend-depozitimit të Porto Romanos, ka bërë që mbetjet e Bashkisë Durrës të dërgohen në Manzë për djegien e mbeturinave.
Mesa duket Bashkia ka gjetur këtë zgjidhje si të vetmen zgjidhje për të pastruar koshat e mbeturinave dhe ambientet pranë tyre, duke i çuar në Manzë për t’i djegur.
Plehrat janë hedhur pranë qendrave të banuara, duke “helmuar” ajrin e banorëve të zonës mbrëmjen e djeshme, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.
Pas zhurmës së shkaktuar dhe rezistencës së banorëve, autoritetet kanë gjetur mënyrën e duhur për t’i shpëtuar skandalit dhe jo për të zgjedhur problemin që shqetëson banorët, dhe tashmë po bëhet dhe groposja e mbeturinave pas djegies së tyre.
Me mjete të rënda kanë gërmuar kodrën dhe të gjithë dheun e nxjerrë prej saj e kanë përdorur për të mbuluar plehrat, e jo vetëm që nuk është zgjidhur asnjë problem, por është shtuar dhe një tjetër: Gërryerja e kodrës.
LEXO EDHE: Tenderi korruptiv që solli katastrofën mjedisore në Manzë dhe ktheu Durrësin në “kosh mbeturinash”!