Plagosja e Bajrit dhe Zotos në qeli, pezullohen 8 efektivë të Burgut të Fierit

Tetë efektivë të Policisë së Burgut të Fierit janë pezulluar nga detyra pas konfliktit në qeli mes Denis Brajovic, i njohur edhe si Denis Bajri, dhe Jurgen Zotos, ku të dy të dënuarit mbetën të plagosur.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Komisionit të Disiplinës dhe një rishikimi të dytë të çështjes. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e përgjegjësive të mundshme të efektivëve, të cilët rezultojnë se ishin të planizuar në dy sektorët e burgut në momentin e ngjarjes së të shtunës.
Në konflikt u përfshinë Denis Brajovic (Bajri) dhe Jurgen Zoto. Bajri konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe akuzohet nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndoj, ndërsa Zoto mbahet në burg për vjedhje me dhunë dhe mbajtje pa leje të armës së zjarrit.
Sipas informacioneve, konflikti është nisur nga Jurgen Zoto, i cili ka goditur Denis Bajrin. Përplasja ka përfunduar me plagosjen e të dyve, por aktualisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të marrë masa ndëshkuese ndaj të dy të dënuarve.
Tetë efektivët e pezulluar janë:
- K/Inspektor G.B. – Përgjegjës turni në regjimin e brendshëm.
- Inspektor Sh.H. – Përgjegjës turni në regjimin e brendshëm.
- Inspektor A.A. – Punonjës i rolit bazë.
- Inspektor D.GJ. – Punonjës i rolit bazë.
- Inspektor A.H. – Punonjës i rolit bazë.
- Inspektor P.K. – Punonjës i rolit bazë.
- Inspektor S.Ç. – Punonjës i rolit bazë.
- Inspektor A.S. – Punonjës i rolit bazë.
Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po verifikon edhe një tjetër informacion të referuar pas ngjarjes. Sipas tij, pas sherrit disa makina të blinduara kanë qëndruar jashtë perimetrit të burgut dhe pranë spitalit.
Ka informacione se në këto automjete ndodheshin mbështetës të Denis Brajovic dhe Jurgen Zotos. Prokuroria po vijon hetimet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe plagosjes, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar për ngjarjen.