Skip to content
Të Gjitha

Plagosi me thikë infermieren që shkoi t’i bënte gjilpërën nënës së sëmurë, arrestohet 36-vjeçari

· 2 min lexim

Policia e Lushnjës ka arrestuar një 36 vjeçar, i identifikuar si Altin Mbrice, i cili pasditen e kësaj të marte ka plagosur me thikë një infermiere.

Ai ka plagosur shtetasen A. T., 59 vjeçe, infermiere në qëndrën shëndetësore në fshatin Arrëz, e cila kishte shkuar në banesën e autorit për t’i bërë gjilpërën nënës së tij të sëmurë.

Në një njoftim për mediat Policia e Lushnjes bën me dije se autori pasi ka goditur infermieren është larguar nga banesa, por u kap dhe u arrestua në flagrancë, në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja.

Sakaq, infermierja e plagosur ndodhet në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shkaqet e ngjarjes janë ende të paqarta, teksa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i policisë Lushnjë

Policia kap dhe arreston në kohë rekord autorin e plagosjes me thikë të infermieres së qëndrës shëndetësore në fshatin Arrëz. Sot, rreth orës 19:15, në fshatin Arrëz, Lushnjë, shtetasi A. M., 36 vjeç, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasen A. T., 59 vjeçe, infermiere në qëndrën shëndetësore në fshatin Arrëz, e cila kishte shkuar në banesën e autorit për t’i bërë gjilpërën nënës së tij të sëmurë.
Pasi ka goditur infermieren, shtetasi A. M. është larguar nga banesa, por pas reagimit të menjëhershëm të Policisë u kap dhe u arrestua në flagrancë, në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja. Shtetasja A. T. ndodhet në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.