Skip to content
Kryesore

Pjesa e heshtur e shqiptarëve që nuk protestojnë, nuk është më “pronë” e Ramës

· 2 min lexim

Numrat në shesh, sado që fryhen nga njëra palë dhe minimizohen nga tjetra, nuk përfaqësojnë të gjithë vendin. Jo çdo shqiptar kërkon rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë. Jo të gjithë u besojnë organizatorëve. Shumë njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, të zhgënjyer nga politika në tërësi dhe pa bindjen se një alternativë është gati të marrë vendin e pushtetit aktual.

Por këtu nis edhe pyetja më interesante politike.

A vazhdon mungesa në protestë të nënkuptojë automatikisht mbështetje për qeverinë?

Për vite me radhë, pushteti ka funksionuar edhe mbi këtë logjikë. Kush nuk proteston, nuk shqetëson. Kush nuk flet, nuk kundërshton. Kush nuk del në shesh, pranohet si pjesë e shumicës së qetë që garanton stabilitetin politik.

Megjithatë, zhvillimet e javëve të fundit duket se kanë krijuar një realitet më kompleks.

Debati për fondet publike të përdorura për koncertin e Kanye West, polemikat rreth projektit në Zvërnec, reagimet ndaj menaxhimit të protestave, madje edhe episode që në pamje të parë dukeshin periferike, si historia e vlerësimeve në Google Maps, kanë prodhuar një efekt të përbashkët: gjithnjë e më shumë qytetarë nuk po e shohin më protestën si një zhurmë të zakonshme politike.

Do të thotë se kanë pushuar së qeshuri me protestën.

Dhe pikërisht këtu fillon të ndryshojë ekuilibri politik.

Një pushtet nuk dobësohet vetëm kur humbet mbështetësit e tij më besnikë. Ndonjëherë dobësohet kur humbet sigurinë se njerëzit indiferentë do të vazhdojnë të jenë indiferentë.