Pëson arrest kardiak pas uljes së avionit, ndërron jetë shqiptari në aeroportin e Bolonjës

Një 85-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në Aeroportin “Guglielmo Marconi” të Bolonjës, pasi pësoi një arrest kardiak menjëherë pas mbërritjes me avion nga Tirana.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 16 gushtit. Sipas raportimeve, i moshuari po udhëtonte së bashku me familjarët e tij dhe kishte probleme të mëparshme shëndetësore.
Pas uljes së avionit dhe zbarkimit në aeroport, 85-vjeçari kërkoi ndihmë mjekësore, por gjendja e tij u përkeqësua brenda një kohe të shkurtër dhe ai pësoi arrest kardiak.
Ekipet e urgjencës 118 u njoftuan dhe mbërritën menjëherë në aeroport, ndërsa në vendngjarje ndërhyri edhe Policia e Shtetit.
Pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor për ta shpëtuar, 85-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.
Ngjarja po trajtohet si një vdekje për shkaqe natyrore, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë plotësisht rrethanat.