Skip to content
Kryesore

Përplasja e Arjan Konomit me truprojat e Ramës, Kryeministri: Shau dhe bullizoi Lindën me Zahon në mes të rrugës

· 4 min lexim

Kryeministri Rama ka reaguar për incidentin e ndodhur në Vuno me gazetarin Arjan Konomi, i cili një ditë më parë deklaroi se ishte sulmuar nga truprojat e Kryeministrit dhe se i ishte marrë telefoni, ku më pas i ishin fshirë videot.

Rama e ka hedhur poshtë versionin e Konomit, duke publikuar një tjetër video që, sipas tij, tregon se ngjarja ka ndodhur ndryshe. Kryeministri akuzon gazetarin se ka bullizuar bashkëshorten e tij, Linda Rama, së bashku me djalin e tyre, Zaho, ndërsa e akuzon gjithashtu se më pas është paraqitur publikisht si viktimë e dhunës.

“JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar. Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi,” shkruan Rama në Facebook.

Nga ana tjetër, Arjan Konomi kishte dhënë një version tjetër të incidentit. Në videodenoncimin e publikuar një ditë më parë, ai akuzoi Linda Ramën për sjellje të ashpër ndaj tij, duke e etiketuar edhe si “nepërkë”.

Konomi deklaroi se fillimisht i ishte afruar familjes së Kryeministrit për t’i ofruar disa fiq, ndërsa më pas kishte ngritur shqetësimin për parkimin e eskortës së Ramës në një zonë të Vunoit ku, sipas tij, parkimi ndalohej. Ai pretendoi se banorët e fshatit ishin gjobitur nga policia po atë ditë për makinat e tyre, ndërsa ndaj eskortës nuk po veprohej njësoj.

“Gjithë Vunoi u zgjua sot me gjoba për makinat. Më vonë, pas orës 12:00, dola për të mbledhur fiq dhe, kur u ktheva, pashë familjen e kryeministrit dhe eskortën e tij. E gjithë eskorta kishte parkuar në zonën ku ndalohet parkimi, ndërsa policia rrinte aty. Unë nisa të bëja një video dhe i thashë policisë: Pse nuk e gjobitni edhe kryeministrin, siç keni gjobitur Vunoin para pak orësh? Në atë moment Rama më thirri dhe u afrova. Më tha: ‘Ulu’. I thashë: ‘Si do t’ia bëjmë ne për parkimin? Ky është shqetësimi im’. Nuk përdora fjalë ofenduese.

Ai më ftoi të ulesha, por nuk pati kohë, sepse zonja Linda Rama, me një arrogancë dhe histerizëm, më tha ta lija të qetë. Si një nëpërkë, m’u hodh në fyt, aq sa tronditi edhe djalin e saj me reagimin që pati. Unë mbeta dhe i thashë: ‘Po të jap disa fiq’. Por ajo m’u kthye duke më thënë: ‘E di ti se ku t’i fus ato fiq?’ Shyqyr që kisha mbledhur fiq, që janë të butë; imagjinoni sikur të kisha mbledhur dardha. Kur po mendoja këtë gjë, më hidhen nja katër bodyguardë, më rrëmbejnë telefonin, ndërsa Linda bërtiste në anën tjetër, në mes të fshatit. Videot m’i fshinë nga telefoni dhe më shoqëruan me një furgon policie, me ‘Shqiponjat’, në Komisariatin e Himarës”, deklaroi Konomi.

Dy versionet për incidentin në Vuno përplasen kështu drejtpërdrejt: Konomi pretendon se truprojat i morën telefonin, i fshinë videot dhe se më pas u shoqërua në komisariat, ndërsa Rama e mohon rrëfimin e tij dhe thotë se një tjetër video tregon se gazetari ishte ai që bullizoi Linda Ramën dhe djalin e tyre.