Skip to content
Uncategorized

Përplasi për vdekje 7-vjeçarin pranë shkollës, Apeli lë në burg Petri Bozon

· 2 min lexim

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për regjisorin Petri Bozo, i përfshirë në aksidentin tragjik ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeç në Elbasan.

Apeli rrëzoi ankimin e Bozos, i cili kishte kërkuar caktimin e një mase më të butë sigurie, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Aksidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e 25 majit, pranë shkollës së fshatit Mengël, në aksin “Elbasan-Librazhd”. Automjeti që drejtohej nga Petri Bozo përplasi 7-vjeçarin, nxënës i klasës së parë, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Në momentin e aksidentit, fëmija ndodhej pranë rrugës së bashku me nënën e tij. Ata kishin shoqëruar motrën e të miturit në shkollë, ndërsa 7-vjeçari zhvillonte mësimin në turnin e pasdites.

Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani pranë shkollës, kur i mituri dyshohet se i ka shpëtuar nga dora së ëmës dhe ka dalë në rrugë, ku u përplas nga automjeti i drejtuar nga Bozo.

Regjisori u arrestua pas aksidentit, ndërsa Gjykata e Elbasanit vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Me vendimin e dhënë, Apeli ka konfirmuar qëndrimin e shkallës së parë dhe Petri Bozo do të vijojë të qëndrojë në burg.