Skip to content
Aktualitet

Përgjimet e “Bild”, ja si e justifikon veten Pjerin Ndreu para shqiptarëve

· 3 min lexim

Siç e paralajmëroi gazetari i “Bild”, ditën e djeshme disa përgjime u publikuan nga media gjermane, ku shkaktuan edhe jehonë në mediat e politikën shqiptare.

Në një nga përgjimet e publikuara ditën e djeshme, i përfshirë në një audioskandal ishte edhe ish-deputeti socialist Pjerin Ndreu, aktualisht kandidat për bashkinë e Lezhës.

Në përgjimet e publikuara me drejtorin e Drejtorisë Arsimore Dibër, Drini Gjeçi, i kërkon këtij të fundit që të marrë drejtorin e shkollës së Reçit dhe të deklarojë votën, ose në të kundërt do të fluturojë nga puna.

Mbrëmjen e djeshme, Pjerin Ndreu në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” u shpreh se ai ka të drejtë që t’i kërkojë strukturave të PS ta shpallin votën hapur.

Pjerin Ndreu:

Unë kam të drejtë t’i kërkoj strukturave të mia ta shpallin votën hapur dhe këtu s’ka asnjë gjë”.

Blendi Fevziu:

Zoti Ndreu, ju e keni dëgjuar përgjimin që është publikuar nga “Bild” dhe keni deklaruar së është pjesë e zakonshme e punës së strukturave të PS. A mund të ma shpjegoni cila është puna e zakonshme e strukturave të PS?”

Pjerin Ndreu:

Ju lutem më dëgjoni, Reshat Elezi ka qenë kryetar i PS të Reçit dhe duke qenë kryetar, unë kam kërkuar që ai të votojë PS dhe kjo është krejt normale dhe nuk kam kërkuar personat e tjerë, apo nga mësuesit.”

Blendi Fevziu:

I ka kërkuar dikush tjetër?”

Pjerin Ndreu:

Po flas për Pjerini… jo për dikë tjetër.”

Blendi Fevziu:

Si deputet i PS, pse nuk morët drejtpërdrejt Reshat Elezin, po i thoni drejtorit t’i telefonojë?”

Pjerin Ndreu:

Nuk ja kishe telefonin dhe njihja vetëm drejtorin e Arsimit dhe zotëria ka qenë kryetar i PS, ju më thoni i kam bërë presion kryetarit të PS?”

Blendi Fevziu:

Në shtet nuk ka parti. E ka marrë drejtori i Arsmit, pse nuk thoni merr kryetarin e PS, por drejtorin?”

Pjerin Ndreu:

Nuk i kisha telefonin. E keni bërë këtë administratën sikur… dhe ata që janë në administratë, drejtorët e shkollave lejohen të marrin pjesë në aktivitetet politike pas orë 16:00, pas orarit të punës…. Siç ka PS, kanë dhe partitë e tjera…”

Blendi Fevziu:

A e di ju se deklarimi i votës, qoftë anëtar i PS, qoftë i PD. LSI është shkelje ligji?”

Pjerin Ndreu:

Deklarim i votës bëhet në komisioni…janë komisionerët e PS, LSI, PD,bëhët me fjalë…”

Blendi Fevziu:

 Ju thoni të deklarosh votën hapur…është të shkelësh të drejtën e tjetrit për të votuar si të dojë ai….”

Pjerin Ndreu:

Përkthimi shqip -shqip ju keni të qejf ta bëni si të doni….”

Mentor Kikia:

 Ku do fluturonte drejtori shkollës të hënën?”

Pjerin Ndreu:

Do ikte nga kryetari i PS. Unë kam të drejtë ti kërkoj strukturave të mia gojarisht ta shpallin votën hapur dhe këtu s’ka asnjë gjë…”

Blendi Fevziu:

As strukturave të tua nuk ke të drejtë ti kërkosh shpallje të votës hapur, kjo është shkelje e hapur. Mund të jetë praktikë por është shkelje e ligjit. Ku do fluturonte?”

Pjerin Ndreu:

Do fluturojë nga PS…”