Cristiano Ronaldo i jep lamtumirën Portugalisë pas 23 vitesh, mbyllet një epokë

Cristiano Ronaldo ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Portugalisë, duke i dhënë fund një rrugëtimi 23-vjeçar me fanellën luzitane. Në moshën 41-vjeçare, kapiteni portugez ka zgjedhur t’i japë lamtumirën përfaqësueses përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, ku falënderon bashkëlojtarët, trajnerët, familjen dhe miliona tifozë.
“Erdhi dita për t’ia dorëzuar fanellën me numrin 7 së ardhmes. Për 23 vite pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vesh, ta mbroj dhe ta përfaqësoj në stadiumet e gjithë botës”, shkruan Ronaldo.
Karriera e tij me Portugalinë nisi në gusht të vitit 2003. Në 234 paraqitje, ai shënoi 146 gola, duke vendosur rekorde botërore për numrin e ndeshjeve dhe golave në futbollin ndërkombëtar. Ndër sukseset më të mëdha mbetet triumfi në Kampionatin Europian të vitit 2016.
Lamtumira vjen pas përplasjeve me trajnerin Jorge Jesus. Më 30 shtator, Ronaldo u largua pa leje nga grumbullimi i kombëtares në Danimarkë, pas mosmarrëveshjeve për aktivizimin e tij. Federata Portugeze e Futbollit e ndëshkoi me 30 ditë pezullim dhe gjobë prej 255 eurosh.
Në mesazhin e lamtumirës, Ronaldo thekson se përtej trofeve dhe rekordeve, kujtimet dhe lidhja me tifozët mbeten pjesa më e rëndësishme e karrierës së tij.
“Golat kalojnë, kupat mbeten në muze, rekordet thyhen. Por ka diçka që koha nuk mund ta shuajë: vendi që zëmë në zemrat e njerëzve”, shkruan ai.
Futbollisti falënderoi të gjithë ata që e shoqëruan gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar se asnjë kapiten nuk mund t’i arrijë i vetëm sukseset.
“Dal me kokën lart, krenar për rrugën që kam bërë dhe me ndërgjegjen se dhashë gjithçka për Portugalinë. Por nuk do të pushoj kurrë së qeni njëri prej jush. Do të vazhdoj të vuaj, të emocionohem dhe të festoj çdo fitore të Portugalisë me një ‘Siu’”, përfundon mesazhi i tij.
Me tërheqjen e Ronaldos, Portugalia mbyll një kapitull historik, duke i dhënë lamtumirën kapitenit dhe golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave, një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror.
View this post on Instagram