Samiti i paralajmëruar për një kohë të gjatë nga Franca dhe Gjermania me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u zhvillua virtalisht sot dhe kjo shënon vazhdimin e dialogut të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u ndërpre në fund të vitit 2018.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shprehur se Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti vendosi ultimatume sa i përket dialogut duke këruar integritet territorial, njohje të ndërsjelltë dhe anëtarësim në OKB. Ndër të tjera presidenti serb tha se nuk do i pranojë por më pas ka ndryshuar qasje dhe se do të diskutojë çdo hap për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Pala shqiptare doli me kërkesa të cilat janë: ruajtja e integritetit territorial dhe Kushtetutës së Kosovës, njohje e përhershme dhe e ndërsjellë, anëtarësimi në OKB. Unë thashë se gjithçka që është e pakuptimtë, po unë jam i gatshëm të flas dhe të bëj hapa të vegjël. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha hapat që do të përmirësojnë marrëdhëniet midis njerëzve, rrjedhën e njerëzve, mallrave, kapitalit, por jo të pranojmë ultimatume. Kjo nuk është e mundur dhe realiste.”- deklaroi Vuçiç.
Nga ana tjetër, në fjalën e tij para të pranishmëve në këtë Samit, Hoti ka thënë fillimisht se është kënaqësi që ka marrë ftesën për të qenë pjesë e këtij Samiti i cili tregon përkushtimin e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që të shkojnë drejt integrimit evropian. Hoti ka theksuar se për Kosovën, marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë vazhdojnë të mbesin çështje shqetësuese.
“Ne kemi filluar procesin e dialogut në vitin 2011 të ndërmjetësuar nga Brukseli. Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh. Ato që janë zbatuar kanë përmirësuar jetën e njerëzve në të dy vendet. Që nga fillimi i dialogut më 2011, Serbia ka vazhduar të ndërmarrë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke lobuar kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet e tjera. Këto praktika të dëmshme dëmtuan procesin e normalizimit të marrëdhënieve tona si dy vende të pavarura. Gjatë rrjedhës së dialogut, Serbia nuk tregoi synime të vërteta për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Përkundrazi, ajo e ka zgjatur procesin për të “blerë kohë” dhe për të vazhduar fushatat kundër sovranitetit të Kosovës”, ka theksuar Hoti.
Ndërkohë ky ishte vetëm një takim teksa dialogu Kosovë- Serbi do të vijojë edhe në Samitin e Brukselit të enjten që vjen teksa duket se ‘frenat’ e këtij procesi i ka marrë BE me dyshen Merkel- Macron dhe me të deleguarin Miroslav Lajcak.