Peka: Prokurorë të SPAK dhe gjyqtarë do përfundojnë në burg, po bëjnë pazare me dosjen e BE

Drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike, Avenir Peka, ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK-ut dhe sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se prokurorë dhe gjyqtarë të posaçëm mund të përfundojnë vetë në burg për mënyrën se si, sipas tij, kanë administruar dosje të caktuara.
Në një intervistë në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, Peka pretendoi se reforma në drejtësi është përdorur për kapjen e sistemit dhe eliminimin politik të kundërshtarëve, ndërsa akuzoi SPAK-un se po përdor procedurat për të favorizuar persona të caktuar.
Sipas tij, provat dhe materialet e siguruara nga agjencitë partnere ndërkombëtare nuk mund të zhduken, pasi kopjet e tyre ndodhen edhe pranë institucioneve që i kanë mbledhur. Për këtë arsye, Peka paralajmëroi se mënyra e administrimit të këtyre materialeve mund të sjellë në të ardhmen përgjegjësi penale.
“Ta thashë, reforma në drejtësi është bërë për të kapur sistemin dhe për të eliminuar politikisht kundërshtarët.
Qëllimi i SPAK-ut, o Sonila, qëllimi i SPAK-ut, kjo është, të amnistojë korrupsionin.
Do të kemi parasysh një gjë. Nëse të kujtohet, kryeprokurorja e ngjashme në Maqedoni, se këto reforma të tilla janë bërë dhe në vende të tjera. Jo kaq abuzive sa në Shqipëri, po janë bërë dhe në Maqedoni, janë bërë në Bullgari…
Kryeprokurorja speciale, ajo që ka qenë të merrej me politikanët dhe në Maqedoni, ka përfunduar në burg për vete. E vërtetë është. Dakord? Tani ka një gjë. SPAK-u mund t’i ndihmojë këta me cic mice procedurale. Po ato prova nuk hiqen dot.
Ato prova do të djegin të gjithë ata që i kanë marrë. Të paktën për ato dosje që janë të hapura, se mund të ketë shumë gjëra që kanë ndodhur po nuk janë. Ajo çfarë do të ndodhi, është që bashkë me ato dosje, do digjen edhe këta që i kanë përdorur ato dosje. Dhe këtu do jemi, dhe ti ke për të parë prokurorë të SPAK-ut, ke për të parë prokurorë, gjykatës të Gjykatës Speciale që do përfundojnë vetë në burg.
Këtu ku jemi, këtu ku jemi, do përfundojnë vetë në burg. Për një arsye fare të thjeshtë. Mënyra se si i kanë menaxhuar ato. Unë nuk po them të bëjnë shpikje. Unë po them, në qoftë se ka një dosje që ka ardhur nga perëndimi… jo se këta s’kanë hapur asnjë dosje. Në qoftë se ka një dosje që ka ardhur paketë nga perëndimi, dhe ata kanë 30 vjet që flenë te ajo, ata po ta japin thjesht një dosje të thjeshtë, abuzimi me 86 milionë euro…”, deklaroi Peka.
Ai iu referua më pas një dosjeje që, sipas tij, është dërguar në Shqipëri nga OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, dhe lidhet me dyshime për abuzim me 86 milionë euro. Peka pretendoi se fondet janë bllokuar dhe se dosja ndodhet në SPAK, por nuk po procedohet.
“Tashi është i bllokuar, pse? Sepse janë vjedhur paratë. Ata kanë bllokuar fondet. Dosjen e kanë sjellë OLAF-i agjencia e antikorrupsionit e Bashkimit Europian, e ka sjellë dosjen, është në SPAK. E mbajnë. Ta mbajnë, ta marrin me vete. Të bëjnë edhe pazare, të bëjnë edhe gjëra. Por, dikush do përgjigjet për atë dosje. E mora këtë sepse është evidente dhe është e qartë. Por dosje të tjera… Marrim një gjë. Ky që është arrestuar tani…”, vijoi ai.
Peka ngriti gjithashtu pretendime për Agasin, duke deklaruar se ai kishte lëvizur lirshëm në Shqipëri dhe se kontaktet e tij, sipas Pekës, njiheshin nga institucionet shqiptare.
“Ne e dimë se çfarë ka bërë Agasi. Ne e dimë që Agasi ka qenë në Shqipëri. Ne e dimë që Agasi shëtiste lirshëm, lirshëm në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, kudo, i shoqëruar nga policia. Jo ata çunat që kishte me vete, po i shoqëruar dhe i mbrojtur. Ne e dimë që djali takohej me eksponentë të Partisë Socialiste, ne e dimë që ishte në komunikim edhe me Ramën dhe takohej me Ramën. Edhe SPAK-u e ka ditur, edhe policia e ka ditur, edhe SHISH-i e ka ditur, të gjithë e kanë ditur. Të gjithë. Është sekret i hapur.
Unë e di që është bërë me regji. Por, ai djalë që është arrestuar, pavarësisht regjisë që është arrestuar, ato prova që janë për të nuk i kanë mbledhur agjencitë tona. Sigurisht. I kanë mbledhur agjencitë partnere. Siç është edhe rasti i Beqirit. I kanë mbledhur agjencitë partnere. Është folur shumë se çfarë janë gjetur në zyrën e atij, në kompjuterin, në diskun e tij, në kamerat e njërit e tjetrit. Unë nuk e di se çfarë janë gjetur edhe nuk dua të aludoj me të. Por ama unë dua të them që, ajo kopja e atyre materialeve që janë gjetur në kompjuterin e tij, një i është dërguar SPAK-ut, po një e kanë mbajtur për vete ata që e kanë bërë. Kushdo qofshin ata. Dhe ajo ekziston aty.
Prokurorët e SPAK-ut, çfarëdo që të bëjnë, unë të thashë, SPAK-u kishte një detyrë, edhe ja, ka arritur me suksesin më të madh: t’i japi zgjedhjet Edi Ramës në 2025-n. Dhe ja dha zgjedhjet”, tha ndër të tjera Avenir Peka në SYRI TV.