PD kallëzon në SPAK kryebashkiakë, ministra dhe ish-kryetarë bashkie, ja për çfarë i akuzon

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK 2 kryebashkiakë, 2 ish-kryetarët e Bashkisë së Durrësit dhe dy ministra.

Konkretisht, bëhet fjalë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, të Krujës Artur Bushi, ish-kryebashkiakët e Durrësit, Valbona Sako dhe Vangjush Dako dhe ministrat Sandër Lleshaj(Ministër i Brendshëm) dhe Besa Shahini(Ministre e Arsimit).

Ky kallëzim lidhet me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të 2019.

Dokumenti i dorëzuar në SPAK

Selia blu ngre 5 akuza

  • “Shpërdorim detyre”
  • “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese
  • “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
  • “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
  • “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini akuzohet për prokurimet.

“Në kallëzimin penal drejtuar SPAK-ut, listohen të gjitha rastet e dëmtimit të infrastrukturës arsimore publike, të cilat janë ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit, por janë shkatërruar si pasojë e tërmetit. Për Partinë Demokratike, shkatërrimi apo dëmtimi i këtyre objekteve është rrjedhojë e prokurime publike korruptive, që kanë sjellë cilësi të dobët të punimeve, duke vënë në rrezik serioz jetën e fëmijëve“.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj akuzohet në lidhje me vdekjen e kryekomisar Bajram Hajdarmetajt te Konvaleshenca në Durrës.

“E njëjta përgjegjësi evidentohet edhe për vdekjen e Kryekomisar Bajram Hajdarmetaj, në Godinën e Konvaleshencës në Durrës, e cila ishte shpallur e pabanueshme pas tërmetit të 21 Shtatorit, por Ministria e Brendshme nuk kishte marrë asnjë masë për të ndaluar hyrjen në godinë. Si pasojë e kësaj neglizhence totale të Ministrit të Brendshëm dhe të vartësve të tij në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tyre, ka ardhur një pasojë shumë e rëndë, vdekja e Kryekomisarit Hajdarmetaj”.

Ndërsa, kryetarët e bashkive akuzohen për neglizhencë lejet për ndërtimin e banesave.

Dokumenti është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe mban datën 22 janar.

Shpërndaje
Share.

Komento