Sfidoi hapur drejtësinë shqiptare! Kush është gjyqtari i Apelit që liroi vrasësit e 6 gardistëve në Cërrik

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Procesi i Vetingut prej më shumë se 2 vitesh ka nisur spastrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare nga gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, me lidhje të dyshimta me njerëz të krimit, duke rikthyer shpresat për një drejtësi të pastër në vend.

Por teksa proceset e verifikimeve marrin kohën e tyre, nuk janë të paktë gjyqtarët e prokurorët që po e shfrytëzojnë këtë kohë për të abuzuar me pushtetin që u është dhënë nga institucionet e e drejtësisë.

I tillë është rasti i gjyqtarit Amarildo Laçi, i cili ndonëse numëron një sërë shkeljesh, lidhjesh të papërshtatshme me njerëz të botës së krimit e vendime të dyshimta gjyqësore, vijon i pashqetësuar punën e tij në Gjykatën Administrative të Apelit.

Laçi u dekretua gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit nga ish-presidenti Bujar Nishani në mars të vitit 2016 ndonëse deri më atëherë, mbi të rëndonin jo pak dyshime.

Përpara dekretimit, ish-kreu i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe të Deklarimit të Pasurisë kishte bërë një kërkesë për verifikimin e pasurisë së tij, pasi dyshohej për deklarime jokorrekte.

Por emri i Amarildo Laçit do të pushtonte mediat në qershor të vitit 2016, me vendimin famëkeq për lirimin e tre anëtarëve të bandës së Cërrikut, të dënuar për vrasjen e 6 gardistëve dhe plagosjen e 16 të tjerëve në atë që mbahet mend si masakra e Cërrikut në vitin 1997.

Banda e Cërrikut

Më 5 qershor 2012, trupa e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda e kryesuar nga Amarildo Laçi i dha lirinë Meti Bozit, i dënuar me burg të përjetshëm, Llazar Bicit i dënuar me 22 vite burg dhe Skënder Canit, i dënuar me 21 vite burg.

Meti Bozi

Kujtojmë se në masakrën e Cërrikut efektivët e gardës jo vetëm u ekzekutuan pa mëshirë nga anëtarët e bandës së Cërrikut me armë zjarri e granata, por trupat e tyre u përdhosën nga po të njëjtët persona të cilët i zhveshën, u vodhën sendet personale dhe më pas tentuan t’i digjnin, por u ndaluan nga banorët e qytetit.

Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi për lirimin e tre prej anëtarëve të bandës me arsyetimin e mungesës së provave, vendim ky që tërhoqi vëmendjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Menjëherë inspektorët e ministrisë nisën verifikimet për procedurat e ndjekura.

Në vitin 2016, të liruarit Meti Bozi dhe Skënder Cani iu nënshtruan rigjykimit dhe u ridënuan si fajtorë për krimet makabër, Bozi me burgim të përjetshëm, ndërsa Cani me 13 vite burg.

Por ndonëse ky skandal i jashtëzakonshëm i drejtësisë shqiptare tronditi asokohe opinionin publik e sidomos familjet e të ndjerëve, Laçit duket se nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, pasi ai vijon i pashqetësuar punën në Gjykatën Administrative të Apelit.

Shpërndaje
Share.

Komento