Një tjetër largim njoftohet nga rradhët e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për prefektin e Tiranës, Sadi Vorpsin. Me anë të një njoftimi nga rrjetet soiciale, Vorpsi ka deklaruar se do të dorëhiqet me qëllim tu hap vend të rinjve.
“Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë”, shkruan Vorpsi.
Kujtojmë se dhe dy deputetë nga Grupi Parlamentar socialist, Vasilika Hysi dhe Besnik Bare, kanë kërkuar të mos jenë më pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS-së.
Postimi i plotë nga Sadi Vorpsi
Të nderuar miq, mbështetës e dashamirës!
Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime.
Partia Socialiste është jo vetëm shtëpia më e madhe politike, por dhe më përparimtarja e gjithëpërfshirësja. Edi Rama e transformoi nga një parti në opozitë të vështirë, në forcën vendimtare për qeverisjen dhe modernizimin e vendit.
Kam shijuar çdo moment përfaqesimin e komuniteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.
Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen dhe mezi pres të bashkojmë forcat për fitoren e 25 Prillit.
Juaji gjithmonë, Sadi