Pas LDK-së dhe SHBA-së, Kurti ‘i kthehet’ Thaçit: Pa Vetëvendosjen nuk ka zgjedhje

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Teksa të gjitha vendet po luftojnë me COVID-19, Kosova po përballet edhe me një krizë të thellë politike, pasi ‘qeveria Kurti’, e cila u formua 3 muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ra pas 51 ditësh në pushtet, duke u bërë qeveria më jetëshkurtër.

Qeveria më ‘jetëshkurtër’/ Votohet mocioni i mosbesimit, bie qeveria e Albin Kurtit

Pas një seance maratonë, Kuvendi votoi me 82 vota pro, 32 kundër dhe 2 abstenime për rrëzimin e qeverisë, pasi LDK inicioi ‘mocionin e mosbesimit’ duke u përkrahur nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet, teksa të vetmit që votuan kundër ishte partia Vetëvendosja.

Gjatë seancës maratonë, kreu i VV tha se Veliu kishte kohë që i dilte kundër qeverisë dhe provokonte me qëndrimet e tij, duke hedhur akuzat se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar teksa vijoi me tej duke shtuar se LDK do të bëhet palë me Richard Grenell dhe presidentin Thaçi për të shkëmbyer territoret e Kosovës me Serbinë.

Pas kësaj deklarate erdhi edhe reagimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara që ndonëse në dukje sqaronte se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, viheshin re nota kritike ndaj Kurtit.

Pas rënies së “qeverisë Kurti” reagon SHBA

Të nesërmen, qeveria në detyrë e Kosovës iu kundëpërgjigj SHBA, ku në një njoftim nga Kryeministria thuhet se presidentët Thaçi e Vuçiç janë kërcënime për Kosovën, si edhe theksohej se dialogu mes dy vendeve duhet të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës dhe duhet të ketë reciprocitet.

Qeveria në detyrë e Kosovës dhëmb për dhëmb me SHBA

Pas kësaj deklarate, vijuan përplasjet në distancë mes Kurtit dhe Grenell, pasi ky i fundit në një intervistë tha se Kurti e ka kërcënuar dhe duke e parë në sy i ka thën se nuk do e hiqte taksën ndaj Serbisë.

“Kurrë, kurrë!” Grenellit nuk ‘i del e keqja’ me Kurtin: “Më pa në sy dhe më tha se nuk do ta hiqte taksën”

Menjëherë reagoi kreu i VV, i cili e quajti të dërguarin e Trump gënjeshtar dhe deklaroi se i ka thënë që taksa nuk hiqet pa reciprocitet.

Së fundmi, Albin Kurti i ka dhënë përgjigje edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një status në Facebook, Kurti është shprehur se qeveria e re mund të themelohet vetëm nëse shkohet në zgjedhje të reja, teksa ka interpretuar disa nene të Kushtetutës, duke dalë kështu në përfundime se pa zgjedhje s’mund të ketë një qeveri të re.

Kurti i drejtohet Thaçit dhe shkruan se para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosja, presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë.

Reagimi i plotë

Konstitucionalizëm integral, jo voluntarizëm presidencial

Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në verzionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Sëkëndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si “qeveri e re” apo “kritere mbizotëruese” nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk kemi garuar se kush do të bëhet kryetar komisioni parlamentar, shef grupi apo kryetar Kuvendi. Partitë kanë garuar me programe qeverisëse dhe me kandidatë për kryeministra. Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai. Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike.

Ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cënohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re.

Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Për më tepër, në vitin 2017 ishte po ky President që është tani, dhe, në atë kohë, ai nuk kishte dilemë se cila ishte rruga e duhur pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues.

Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris.

Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë.

Shpërndaje
Share.

Komento