Shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi? Pas rënies së ‘qeverisë Kurti’, reagon SHBA

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Teksa të gjitha vendet po luftojnë me COVID-19, Kosova po përballet edhe me një krizë të thellë politike, pasi dje ‘qeveria Kurti’, e cila u formua 3 muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ra pas 51 ditësh në pushtet, duke u bërë qeveria me jetëshkurtër.

Pas një seance maratonë, Kuvendi votoi me 82 vota pro, 32 kundër dhe 2 abstenime për rrëzimin e qeverisë, pasi LDK inicioi ‘mocionin e mosbesimit’ duke u përkrahur nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet, teksa të vetmit që votuan kundër ishte partia Vetëvendosja.

Po ashtu, kundër rrëzimit të qeverisë kanë qenë edhe 3 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, fjalimi dhe vendimi i së cilës bënë shumë bujë, teksa sot është larguar me dhunë nga mbledhja e LDK-së.

Ditën e sotme Kurti reagoi me anë të një statusi në Facebook, ku shkruante se duhej që qeveria të binte, në mënyrë që të kthehej më e fortë.

“Rënia e qeverisë ishte rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme të saj. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet si përmbajtje.  E ardhmja është e jona. Ky Kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë Kuvend sepse e dashuron Kuvendin si të tillë.”- ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Shkak për “mocionin e mosbesimit” u bë shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu, pasi ai i doli kundër qeverisë dhe kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përhapur panik.

Dje, gjatë seancës maratonë, kreu i VV tha se Veliu kishte kohë që i dilte kundër qeverisë dhe provokonte me qëndrimet e tij, duke hedhur akuzat se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar teksa vijoi me tej duke shtuar se LDK do të bëhet palë me Richard Grenell dhe presidentin Thaçi për të shkëmbyer territoret e Kosovës me Serbinë.

Mbrëmjen e sotme ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara që kanë theksuar se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

Këto komente u bënë në një deklaratë të përbashkët të ambasadorit Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovës – Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Ne i vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, ndonëse nën rrezik, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues”.

Për më tepër, thuhet në deklaratë, “vazhdojmë t’u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po dëmtojnë qytetarët e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme, dhe duke penguar rritjen ekonomike. Duam ta bëjmë të qartë, se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë” thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”.

Për dy javët e ardhshme Kosova, në momentin me kritik të saj do qëndrojë pa qeveri, teksa sipas Kushtetutës partia më me shumë mandate do zgjedhë kryeministrin e ri në bashkëpunim me presidentin.

Në të kundërt vendi do shkojë në zgjedhje të parakoshme, çka do ishte një goditje fatale në këtë situatë.

Shpërndaje
Share.

Komento