Pas plot pesë vitesh shkëputje, dita e sotme shënon rinisjen e dialogut Turqi-Greqi. Zhvillimi i raundit të 61-të të takimeve dypalëshe, sa u takon bisedimeve kërkimore për të adresuar çështje në lidhje me Egjeun dhe Mesdheun Lindor do të mbahet në Stamboll, ku të dyja palët gjenden aty që nga pasditja e djeshme.
Ambasadori Pavlos Apostolidis do të jetë kreu i ekipit diplomatik grek, e ndërsa pala turke përfaqësohet nga zëvendësministri i Jashtëm Sedat Onal dhe kreu i Drejtorisë së Transportit, Aviacionit dhe Kufirit të Ministrisë së Jashtme Turke, Tsagatay Ertsiges. Burime anonime diplomatike flasin se dikur, përgjatë 60 cikleve të kaluara, grupe ekspertësh nga të dy palët, pasi uleshin përballë, lexonin kërkesat e tyre dhe ngriheshin e iknin shpeshherë edhe pa shtrëngime duarsh.
Turqia përveç ngritjes së problemeve të shumta në tryezë, konsideron gjithnjë shkak lufte, zgjerimin e ujërave greke në Egje. Nga ana e saj, Greqia ka ripërsëritur se merr pjesë në ciklin e 61-të në Stamboll vetëm me një temë në axhendë, atë të përcaktimit të kufijve detarë, por nga ana tjetër pritshmëria është përsëri thuajse zero. Ankaraja vitin e kaluar dërgoi disa anije stërvitje për të kërkuar energji në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.
Më 11 janar, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu do të ftonte Greqinë që të rinisnin bisedimet, duke demonstruar se si Turqia favorizon dialogun, bashkëpunimin dhe zgjidhjen. Ditën e 20 janarit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vendi i tij do të bashkohej në bisedime, me optimizëm dhe besim.