Skip to content
Të Gjitha

Pandemia në vendin tonë prek 8 efektivë policie, shërbenin te pritja e qytetarëve

· 2 min lexim

Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, mësohet se 8 punonjës policie në qarkun e Tiranës janë konfirmuar pozitivë me koronavirus.

Disa prej tyre mësohet se kanë infektuar edhe familjarët, e ndërsa bëhet fjalë për punonjës të policisë që shërbenin pranë recepsioneve në pritje të qytetarëve.

Personi i fundit që u konfirmua me koronavirus brenda radhëve të uniformave blu ishte një efektiv i Shqiponjave.

Sipas “ABC News”, ai u infektua tre ditë më parë.

Nga hetimi epidemiologjik ka rezultuar se efektivi i Shqiponjave është infektuar gjatë punës në terren në momentet kur ka qenë duke shoqëruar persona të ndryshëm në komisariat.

Gjithashtu bëhet e ditur se autoritetet shëndetësore u kanë bërë tamponë kolegëve të oficerit të infektuar por edhe të afërmve të tij.

Këta të fundit për fat të mirë kanë rezultuar negativë.

Edhe punonjësit e tjerë të infektuar më herët ishin punonjës policie të cilët shërbenin tek pritja e qytetarëve.

Si është edhe rasti i një 49-vjeçari, që shërbente në recepsionin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

Pak javë më parë ai u prek nga virusi në punë ndërsa infektoi edhe familjarët.

Pas rezultatit pozitiv me koronavirus, efektivi u shtrua në spitalin Infektiv.

Por duke qenë se 49-vjeçari vuante edhe nga problemet me zemrën pësoi komplikacione dhe u zhvendos në pavionin e kardiologjisë.

Sipas “ABC News” punonjësi i policisë më 17 ndërroi jetë ndërsa askush nga të afërmit nuk mund të thotë se cili ishte shkaku i vdekjes së policit.

As nga instancat përkatëse nuk pati asnjë reagim për të sqaruar nëse 49- vjeçari ishte shëruar nga koronavirusi përpara se të transferohej në kardiologji.